Pas operacionit në mushkëri, Papa Leone do të udhëtojë drejt Amerikës: Është kontinenti ku kam përjetuar shumë momente të jetës sime
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Ukraina po pret prej afro një muaji miratimin e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, për furnizimin me raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot dhe NASAMS.
Sipas Zelenskyt, çështja u diskutua gjatë një takimi me drejtuesit e lartë të mbrojtjes dhe diplomacisë ukrainase, ku në fokus ishte sigurimi i raketave interceptuese për mbrojtjen e vendit nga sulmet ruse.
Kreu i shtetit ukrainas bëri të ditur se Kievi po kërkon mbështetje përmes disa kanaleve, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, vendet evropiane dhe partnerë të tjerë që disponojnë raketa të llojeve PAC-2 dhe PAC-3.
Zelensky theksoi se ka udhëzuar ekipin ukrainas që ta ngrejë sërish këtë çështje me palën amerikane, ndërsa bisedimet me vendet e tjera për sigurimin e raketave vijojnë. Ai kërkoi gjithashtu përshpejtimin e zbatimit të vendimeve për ndihmën ushtarake, duke nënvizuar se çdo paketë mbështetjeje është një mundësi për të mbrojtur jetën e njerëzve.
Vonesat në furnizimin me raketa vijnë në një moment kur Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe objekteve civile të Ukrainës, përpara dimrit. Për Kievin, sigurimi në kohë i sistemeve të mbrojtjes ajrore është thelbësor për të përballuar sulmet me raketa dhe dronë.
Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka pranuar se një dërgesë raketash interceptuese mund të mos jetë realizuar, por ka mohuar që vonesa të ketë motive politike. Çështja shton tensionet mes Uashingtonit dhe Kievit, në një periudhë kur palët kanë pasur mosmarrëveshje edhe për çështje të tjera të mbështetjes amerikane ndaj Ukrainës.
Ndërkohë, Ukraina po vijon përpjekjet për të siguruar raketa nga partnerët evropianë dhe vendet e tjera që disponojnë rezerva, ndërsa përgatitet edhe për takimin e ardhshëm të formatit Ramstein në nëntor. Zelensky ka kërkuar që vendimet e marra për mbështetjen ushtarake të zbatohen më shpejt, duke e cilësuar këtë ndihmë si jetike për mbrojtjen e vendit.
Top Channel