Roberto Mancini nuk e fshehu emocionin gjatë prezantimit si trajneri i ri i Kombëtares së Italisë, teksa rikthimi i tij në stolin e “Axurrëve” u shoqërua me një kujtim prekës për mikun e tij të ngushtë, Gianluca Vialli.

Në një intervistë për TG1, Mancini u kthye edhe një herë te largimi i tij nga drejtimi i Italisë në vitin 2023, duke lënë të kuptohet se gjithçka mund të kishte marrë një tjetër rrjedhë nëse pranë tij do të ishte ende Vialli.

“Çfarë do të më thoshte Gianluca Vialli? Nëse ai do të ishte këtu, ndoshta nuk do të kishte ndodhur asgjë. Do të kishim vazhduar përpara dhe do të kishim fituar edhe trofe të tjerë”, u shpreh Mancini me zërin që i dridhej nga emocioni.

Ish-trajneri kampion i Europës me Italinë shtoi se është i bindur se miku i tij, i ndarë nga jeta më 5 janar 2023 pas betejës me sëmundjen, do të ishte krenar për rikthimin e tij në krye të kombëtares. “Besoj se edhe ai, në këtë moment, është shumë i lumtur”, përfundoi Mancini, në një deklaratë që preku tifozët italianë dhe riktheu në kujtesë lidhjen e veçantë mes dy ikonave të futbollit italian.

Top Channel