Spiunia kineze në selinë e NATO-s, arrestohet nga policia/ Po praktikohej në aleancën ushtarake euroatlantike

25/07/2026 20:01

Një grua kanadeze me origjinë kineze, e cila ishte praktikante në selinë ushtarake të NATO-s në Belgjikë, është arrestuar me akuza për spiunazh, thanë prokurorët belgë të shtunën.

“Ajo dyshohet për spiunazh në emër të një vendi të tretë dhe për anëtarësim në një organizatë kriminale”, tha Zyra e Prokurorit Publik Federal në një deklaratë.

Gruaja punonte si praktikante në Shtabin Suprem të Fuqive Aleate për Evropën (SHAPE) të NATO-s në qytetin belg Mons, thuhet në deklaratë, ndërsa autoritetet nuk dhanë detaje mbi identitetin e saj apo vendin dhe organizatën për të cilën dyshohet se spiunon.

Shtabi Suprem i Fuqive Aleate për Evropën është selia kryesore ushtarake e NATO-s, baza e Komandës Aleate të Operacioneve, e cila është përgjegjëse për planifikimin dhe kryerjen e të gjitha operacioneve të aleancës transatlantike të sigurisë me 32 anëtarë.

E dyshuara kishte rënë në sy të shërbimeve të sigurisë, të cilët e raportuan atë te zyrtarët e inteligjencës belge, sipas deklaratës së prokurorëve.

Hetuesit kontrolluan shtëpinë e të dyshuarës dhe vendin e saj të punës, dhe ajo u arrestua të premten, shkruan Reuters. Një zëdhënës i aleancës euroatlantike tha se nuk kishte asnjë tregues se gatishmëria operacionale e NATO-s, rregullimet e komandës dhe kontrollit ose detyrat e vazhdueshme ishin prekur.

Top Channel