“Nuk do të ketë më para pas vitit 2036”, Elon Musk: Inteligjenca artificiale do t’ia bëjë të parëndësishme
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi me tone humoristike se synon të kandidojë për një mandat të katërt në Shtëpinë e Bardhë, gjatë fjalimit të tij në Galanë e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.
Duke veshur një kapele të kuqe me mbishkrimin “Trump 2028”, ai tha se do të bëjë një njoftim zyrtar, megjithëse Kushtetuta amerikane nuk e lejon një kandidim të tillë.
“Ngaqë më interesoni ju dhe dua të ruaj shikueshmërinë tuaj, kam kënaqësinë të njoftoj synimin tim për të kandiduar për një mandat të katërt si president i Shteteve të Bashkuara. Do ta bëj. Në fakt, mendoj se sapo e bëra”, tha Trump, duke shkaktuar të qeshura dhe duartrokitje nga të pranishmit.
Presidenti përsëriti gjithashtu pretendimin e tij të kahershëm se kishte fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, të cilat ai vazhdon t’i cilësojë si të manipuluara, pavarësisht se rezultati u certifikua dhe nuk ka prova që mbështesin pretendimin për manipulim në shkallë të gjerë.
Në fjalimin e tij, Trump u ndal edhe te sulmi me armë ndaj tij në muajin prill, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk duhet t’i përgjigjen dhunës politike me më shumë dhunë.
“Në Amerikë nuk i zgjidhim mosmarrëveshjet me plumba, por me debat të hapur dhe të gjallë,” u shpreh ai, duke falënderuar agjentët e Shërbimit Sekret për reagimin e tyre gjatë incidentit.
Mbrëmja u karakterizua edhe nga batuta ndaj figurave të politikës dhe medias amerikane. Trump kritikoi ish-presidentët Barack Obama dhe Joe Biden, si edhe disa emra të Partisë Demokratike që përmenden si kandidatë të mundshëm për zgjedhjet e vitit 2028. Ai ironizoi gjithashtu gazetarët Kaitlan Collins dhe Jake Tapper të CNN-së, si dhe moderatorët Jimmy Kimmel dhe Jimmy Fallon.
Në një tjetër moment të fjalimit, Trump foli për negociatat me Iranin, duke deklaruar se Teherani kërkon një marrëveshje me Uashingtonin, por përsëriti se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë që Irani të zotërojë armë bërthamore.
Pavarësisht kritikave të vazhdueshme ndaj mediave, Trump përfundoi fjalimin duke deklaruar se beson te liria e shtypit.
“Pavarësisht të gjitha telasheve që më shkaktoni, shpresoj ta dini se besoj në lirinë e shtypit më shumë se kushdo tjetër në këtë sallë,” tha ai, duke marrë duartrokitje nga pjesëmarrësit.
Sipas Amendamentit të 22-të të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, një president nuk mund të zgjidhet më shumë se dy herë në këtë detyrë. Për këtë arsye, deklarata e Trump për një mandat të katërt u interpretua gjerësisht si një batutë politike dhe jo si një njoftim formal për kandidim.
Top Channel