Gazetari Enrik Mehmeti u nda nga jeta tragjikisht, në lot i jepet lamtumira e fundit, pjesëmarrës edhe kryeministri Rama

19/07/2026 13:26

Homazhet në nder të gazetarit Enrik Mehmeti po zhvillohen në Teatrin ‘Petro Marko’ në qytetin e Vlorës.

Familjarë, të afërm, miq, kolegë dhe qytetarë po i japin lamtumirën e fundit gazetarit, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident.

Në homazhe ka marrë pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili u ka shprehur ngushëllimet familjarëve të të ndjerit.

Pas daljes nga ambientet e teatrit, Rama në dalje i ka shprehur gazetarëve ngushëllime për humbjen e kolegut Enrik Mehmetit, duke i përcjellë ngushëllimet.

Opinioni publik u trondit mbrëmjen e së shtunës nga lajmi tragjik i humbjes së jetës në moshën 40 vjeçare të gazetarit të njohur nga Vlora, Enrik Mehmeti.

Sipas të dhënave paraprake të policisë, ai po lëvizte me një motor me katër rrota, në plazhin e Porto Noves, në Zvërnec kur dyshohet se, si pasojë e një manovre të gabuar, humbi kontrollin e mjetit dhe motori u rrokullis disa herë.

Enrik Mehmeti ka raportuar prej më shumë se 20 vjet ngjarjet më të fundit nga qyteti bregdetar, duke u kthyer në një zë të besueshëm për qytetarët.

Ngjarjet e vitit 1997 shënuan edhe fillimet e tij në gazetari, ndonëse ishte vetëm 11 vjeç.

Ai u angazhua me përkthime në kampin e operacionit “Alba” ku ushtarët italianë kishin ardhur në Shqipëri për të vendosur stabilitetin pas trazirave.

Pak vite më vonë ai nisi raportimet nga terreni, duke përcjellë te lexuesit dhe shikuesit informacione nga politika, kronika, kultura dhe sporti dhe duke qenë një zë me peshë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve në qytetin bregdetar.

 

Top Channel