Aksident përballë Ministrisë së Jashtme në Tiranë, dy mjetet përplasen me njëra-tjetrën
Në Shqipërinë e gjunjëzuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, vrapi dhe nuhatja e Brandit, qenit shpëtues që kërkonte mes gërmadhave, u kthye në një dritë shprese për këdo që me zemër të ngrirë priste një shenjë fryme nga rrënojat.
Brandi nuk e di se çfarë janë dekoratat pas asaj pune humane që po bën së bashku me punonjësin e policisë, një partner besnik që nuk i ndahet në çdo sekondë. Kur gjithçka mbaroi, ai u quajt publikisht “heroi me katër putra”.
Status i Policisë së Shtetit, datë 5 Dhjetor:“B randi – heroi me 4 putra i policisë, zbuloi personat e gjallë nën rrënojat e 6-katëshit në Durrës”.
Në fund të misionit, mënyra si i trajtojmë tregon shumë. Se si heronjtë që nuk flasin bien në harresë. Se si pas një jete në vijën e parë dhe në shërbim me besnikëri, në kapitullin e fundit nuk u jepet e njëjta besnikëri. Është momenti kur dalin në pension dhe stema nga qafa u hiqet. Për ta mbeten vetëm partnerët me uniformë përballë një ligji që ua lidh duart për t’i mbajtur.
Exclusive, me Anila Hoxhën, mëson se Brandi, qeni i misioneve K9 në Policinë e Shtetit, nuk e pati daljen nga policia ashtu siç e meritonte, si një hero që punoi në polici dhe që duhej duartrokitur. Partneri i tij, që ishte me të në çdo shërbim, nuk hesht duke i qëndruar besnik.
“Brandi ka qenë i stërvitur për kërkim-shpëtim dhe për kufoma, për njerëz të vdekur. U përfol shumë në media, në të gjitha. Është dorëzuar te qendra e bashkisë dhe të drejtën duhet ta kishim ne që ta merrnim, personi që e ka stërvitur, por nuk janë procedurat, janë rregullat me ligj që e merr i zoti. Kam shkuar, kam dashur ta marr me lekë si gjithë qytetarët e tjerë, jo se më duhej qen, por kam një lidhje shpirtërore me të. Të bënte një vdekje të lumtur, siç na kanë stërvitur amerikanët. Brandi bënte mrekullira, gjente numra. Ai te kënetat shpëtoi familjen Lala, ku reagoi Brandi”, thotë punonjësi i policisë.
E vërteta është se Brandi, polici katërputrosh që mori pjesë në qindra aksione kërkimi, në krye të 9 viteve karrierë u nxor në ankand. Askush nuk e bleu.
Ligji nuk lejon që kontributi i tyre në zbulimin e ngarkesave me drogë, shpëtimin e njerëzve, arrestimin e të kërkuarve, nuhatjen e armëve dhe parave të fshehura të vlerësohet, duke iu garantuar një falenderim njerëzor që do të thoshte të jetojë me policin me të cilin kreu shërbimet.
Efektivi i policisë, Enver Hoxha thotë: “U interesova te qendra për të gjetur personin që po e mban. Ata thonë nuk e dimë, se kanë hall mos krijohen konflikte, se mos e kërkon dikush. Unë i gëzohem asaj që të mos ketë marrë ndonjë injeksion dhe të ketë shkuar në Sharrë”.
Si Brandi, dhjetëra qen të tjerë që konsiderohen pronë e Policisë së Shtetit, i nënshtrohen të njëjtës procedurë, një procedurë që përjashton shoqëruesin e tij, pra punonjësin e policisë, ta blejë dhe të kujdeset për të.
Një fund që ngre pikëpyetje mbi mënyrën si kujdesemi për ata që i kanë shërbyer vendit.
Top Channel