SPAK i rrëzoi kërkesat, ish-ministri Beqaj reagon pas seancës në GJKKO: Të drejtat e të pandehurit nuk varen nga vullneti i prokurorit
Pavarësisht se e konsideron gjyqësorin të qëndrueshëm pas Reformës në Drejtësi, raporti vjetor i Komisionit Europian që vlerëson gjendjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri thotë se kanë vazhduar përpjekjet për ndikim të padrejtë në institucionet e drejtësisë.
Mes tyre përmenden edhe sulmet personale ndaj magjistratëve, përfshirë edhe Strukturën e Posaçme.
Në këtë pikë, në raport përmendet se tetë magjistratë, mes tyre dy gjyqtarë dhe gjashtë prokurorë, janë vendosur nën mbrojtje, ndër ta edhe prokurorë të SPAK dhe ish-kreu i KLP-së.
Në raport përmendet më tej se: “Përpjekjet nga zyrtarët publikë ose politikanët, përfshirë nivelet më të larta, për të ushtruar publikisht ndikim të padrejtë në institucionet e drejtësisë dhe sulmet personale ndaj magjistratëve në të gjitha nivelet vazhduan gjatë gjithë periudhës së raportimit. Pezullimi i një zyrtari të nivelit të lartë nga detyra, i urdhëruar nga Gjykata e SPAK-ut, në përputhje me dispozitat aktuale të Kodit të Procedurës Penale, si dhe kërkesa e SPAK-ut drejtuar Parlamentit për të hequr imunitetin parlamentar të zyrtarit të lartpërmendur, shkaktuan reagime të konsiderueshme negative nga degët ekzekutive dhe legjislative, duke përfshirë sulme të drejtpërdrejta kundër SPAK-ut dhe institucioneve gjyqësore. Institucionet qeverisëse të gjyqësorit lëshuan deklarata publike, duke denoncuar presionin politik”.
Nënvizohet më tej se raporti gjen mangësi në aksesin në drejtësi, përfshirë ndihmën ligjore, infrastrukturën dhe sigurinë e gjykatave.
E ndërsa korniza institucionale për parandalimin e korrupsionit është përmirësuar, koordinimi me zbatimin e ligjit mbetet i dobët.
“Rreziqet e korrupsionit vazhdojnë të jenë të përhapura në Policinë e Shtetit, prokurimin publik dhe në sektorët me risk të lartë, për të cilët Shqipëria aktualisht po zbaton vlerësimet e riskut”, thuhet më tej.
Duke iu referuar procesit të vettingut, raporti përmend se gjatë këtij procesi u shkarkuan 456 gjyqtarë e prokurorë dhe u konfirmuan 348 prej tyre, ose 43 për qind e rasteve të kontrolluara.
Top Channel