Irani raporton 38 viktima dhe mbi 400 të plagosur nga sulmet amerikane, Kina dhe Pakistani kërkojnë ndalimin e luftimeve

17/07/2026 11:05

Ministria iraniane e Shëndetësisë ka njoftuar se 38 persona janë vrarë dhe më shumë se 400 të tjerë janë plagosur që nga 22 qershori, si pasojë e sulmeve amerikane ndaj Iranit.

Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i të plagosurve ka kaluar mbi 400, ndërsa mes viktimave janë edhe tre gra dhe një i mitur.

Autoritetet iraniane raportuan gjithashtu për viktima të tjera nga sulmet ndaj urave në Bandar Hamir, një qytet port në jug të Iranit. Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, shtatë persona humbën jetën në këto sulme, duke cituar të dhënat e Universitetit të Shkencave Mjekësore Hormozgan.

Ndërkohë, Kina dhe Pakistani kanë bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit dhe rikthimin në tryezën e negociatave.

Ministrat e Jashtëm të Kinës dhe Pakistanit, Wang Yi dhe Ishaq Dar, gjatë një takimi në Shangai, shprehën shqetësimin për përshkallëzimin e situatës dhe kërkuan që palët të ndërpresin armiqësitë dhe të rifillojnë dialogun.

Tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit vijojnë të rriten, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po bën thirrje për uljen e përshkallëzimit dhe shmangien e një konflikti më të gjerë në rajon.

Top Channel