Konflikti SHBA-Iran është në kulmin e tij/ Nata e gjashtë e bombardimeve amerikane, Teherani kërcënon të gjithë Gjirin Persik

17/07/2026 07:11

Ushtria amerikane vijoi për natën e gjashtë radhazi sulmet ajrore ndaj objektivave në Iran, ndërsa Teherani akuzoi Uashingtonin për goditjen e infrastrukturës civile dhe paralajmëroi se do të hakmerret duke shënjestruar infrastrukturën në të gjithë rajonin e Gjirit Persik.

Sipas ushtrisë amerikane, vala e re e bombardimeve kishte në shënjestër objekte të mbikëqyrjes bregdetare, sisteme të mbrojtjes ajrore, infrastrukturë logjistike ushtarake dhe kapacitete detare iraniane.

Nga ana tjetër, mediat shtetërore iraniane raportuan se sulmet goditën edhe ura, një aeroport, një stacion treni dhe zona civile. Sipas televizionit shtetëror IRIB, bombardimet në rajonin Bandar Hamir shkaktuan vdekjen e shtatë personave, ndërsa u goditën gjithashtu një stacion treni në Bandar Abbas dhe aeroporti Iransar.

Një zëdhënës ushtarak iranian deklaroi se, nëse SHBA vazhdon të godasë infrastrukturën e Republikës Islamike, atëherë “e gjithë infrastruktura në rajon do të jetë objektiv legjitim për Iranin”.

Ndërkohë, forcat e armatosura të Kuvajtit dhe Katarit raportuan sulme ajrore gjatë natës, ndërsa sirenat e alarmit u aktivizuan dy herë në Bahrein. Televizioni shtetëror iranian bëri të ditur se Irani kreu sulme me dronë ndaj instalimeve ushtarake amerikane në Kuvajt.

Në qytetin Ahvaz, banorët përshkruan një natë me shpërthime të pandërprera. “Sulmet janë aq intensive sa po më dridhen duart. Ndjeva sikur do të më shpërthenin daullet e veshit”, tha një profesor 34-vjeçar për AFP.


Bombardime u regjistruan edhe në Bushehr, ku ndodhet porti kryesor dhe i vetmi central bërthamor funksional i Iranit. Sipas autoriteteve lokale, qyteti u godit për herë të dytë brenda pak orësh.

Presidenti amerikan Donald Trump kishte paralajmëruar më herët se objektivat e ardhshëm do të ishin urat dhe centralet elektrike iraniane nëse Teherani nuk rikthehej në tryezën e negociatave.

Përshkallëzimi i konfliktit vjen pas rifillimit të armiqësive më 7 korrik, pas sulmeve ndaj anijeve tregtare në Gjirin Persik, të cilat Uashingtoni ia atribuon Iranit. Luftimet po dëmtojnë përpjekjet diplomatike dhe kanë rritur shqetësimet për sigurinë energjetike globale.

Pakistani u ka bërë thirrje të dyja palëve të ndalin dhunën dhe të rikthehen në negociata, ndërsa Irani ka deklaruar se nuk sheh arsye për të zbatuar marrëveshjet e mëparshme në kushtet aktuale.

Në të njëjtën kohë, Shtëpia e Bardhë theksoi se presidenti Donald Trump mbetet i hapur ndaj diplomacisë, por nuk do të tolerojë sulmet ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

Pavarësisht tensioneve, çmimi i naftës Brent mbetet rreth 85 dollarë për fuçi. Megjithatë, drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, paralajmëroi se nëse nuk arrihet shpejt një marrëveshje për t’i dhënë fund armiqësive dhe për të rivendosur lëvizjen e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, siguria energjetike globale do të vihet sërish në rrezik.

Top Channel