Video/ Kuvajti shkatërron në ajër 32 dronë “armiqësorë”, Irani vazhdon të shënjestrojë objektivat kritike në vend
Mbi 800 zjarre pyjore vazhdojnë të digjen në Kanada, ndërsa tymi i përhapur prej tyre ka përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në pjesë të mëdha të Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara.
Autoritetet amerikane kanë lëshuar alarme për ndotjen e ajrit në disa shtete dhe u kanë rekomanduar qytetarëve të qëndrojnë në ambiente të mbyllura.
Sipas Sistemit Kanadez të Informacionit për Zjarret në Natyrë, aktualisht janë aktive 858 zjarre, përfshirë 30 vatra të reja të regjistruara gjatë së enjtes. Shumica e tyre vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit.
Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së (NOAA) njoftoi se alarmet për cilësinë e ajrit përfshijnë rajonin e Midwest-it të Sipërm, Liqenet e Mëdha dhe verilindjen e vendit.
Në pjesë të shteteve të Miçiganit dhe Minesotës, Indeksi i Cilësisë së Ajrit e ka klasifikuar ndotjen si “të rrezikshme”, ndërsa në perëndim të shtetit të Nju Jorkut ajri konsiderohet “shumë i pashëndetshëm”. Në zonën metropolitane të qytetit të Nju Jorkut niveli i ndotjes është vlerësuar si “i pashëndetshëm”.
Vatrat e mëdha të zjarrit në veriperëndim të Ontarios kanë krijuar re të dendura tymi që kanë mbuluar qytete si Thunder Bay dhe Toronto, ndërsa masat ajrore kanë transportuar tymin mbi Liqenet e Mëdha dhe deri në Nju Jork, duke krijuar mjegull të dendur dhe duke ndikuar në dukshmëri.
Për shkak të situatës, autoritetet e qytetit të Nju Jorkut kanë zgjeruar masat e emergjencës për valën e të nxehtit dhe ndotjen e ajrit. Janë hapur qindra qendra ftohjeje për qytetarët dhe janë shpërndarë maska mbrojtëse KN95 për të reduktuar ekspozimin ndaj grimcave të tymit.
Meteorologët parashikojnë reshje shiu dhe stuhi në Ontario gjatë ditëve në vijim, por ato pritet të jenë të pamjaftueshme për të ndikuar ndjeshëm në shuarjen e zjarreve.
Ndërkohë, erërat veriperëndimore do të vazhdojnë të transportojnë tymin drejt shteteve veriore të SHBA-së gjatë fundjavës, duke ngritur shqetësime edhe për cilësinë e ajrit në New Jersey, ku do të zhvillohet finalja e Kupës së Botës. Një ndryshim i drejtimit të erës në fillim të javës së ardhshme pritet të përmirësojë gradualisht situatën në jug të kufirit.
Sipas kompanisë zvicerane IQAir, qyteti i Detroitit aktualisht regjistron cilësinë më të dobët të ajrit në botë, i ndjekur nga Minneapolis, Chicago dhe Toronto.
Top Channel