Grida Duma në “Top Story” për mocionin e Elisa Spiropalit: A është vërtetë një lëvizje me të tjerë të pakënaqur?

16/07/2026 22:29

Moderatorja Grida Duma foli në “Top Story” rreth mocionit për “Marrëveshjen e re për Shqipërinë” e propozuar nga ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali.

“Kjo do të jetë analiza e parë që do të bëjmë, sa lidhet çështja e PS-së me protestat, fragmentarizmin e saj me Elisa Spiropalin, e cila përfaqëson një grupim apo idetë e veta individuale, a ka ardhur ky veprim si kundër-reagim ndaj uljes së saj në status quo-n politike dhe pozicionet e saj qeverisëse, apo në fakt është një strategji e cila për disa mund të jetë vetë diversioni i Edi Ramës për të përfaqësuar ndryshimin nëpërmjet atyre që pranohen si kritizerë të PS-së, apo është vërtetë një lëvizje me të tjerë të pakënaqur të cilët nuk kanë qenë pak sidomos ata socialistë të cilët konsiderohen si playada e vjetër e PS-së, që kanë shkruar në rrjetet e tyre sociale, kanë folur në kënde të ndryshme në media”, tha Duma.

Një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, ndarja e qartë mes partisë dhe shtetit, si dhe një reflektim mbi mënyrën e ushtrimit të pushtetit janë disa nga propozimet kryesore të Elisa Spiropalit në mocionin për “Marrëveshjen e Re për Shqipërinë”, të cilin ajo e ka bërë publik.

Në dokumentin e dorëzuar në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, Spiropali kërkon hapjen e një dialogu të gjerë kombëtar, duke argumentuar se protestat dhe pakënaqësitë qytetare nuk duhet të injorohen, por të shihen si një mundësi për reflektim dhe reformim.

Sipas saj, Shqipëria ka nevojë për më shumë përfaqësim, më shumë demokraci të brendshme, më shumë meritokraci dhe institucione më të forta, ndërsa PS duhet të nisë ndryshimin duke reformuar fillimisht veten.

Top Channel