Franca dhe Gjermania thërrasin ambasadorët rusë, akuza të rënda për sulme kibernetike ndaj Europës dhe paralajmërim për sanksione të reja Pavarësisht se mungojnë deputetët e PD, në seancën e sotme në Kuvend nuk mungojnë debatet. Protagonistë së fundmi janë bërë deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri dhe kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.
Kapri: Jeni bërë qesharakë, vetë flisni, vetë votoni dhe vetë duartrokisni njëri-tjetrin. Parlamenti është i opozitës, të paktën na jepni fjalën kur e kërkojmë. Z.Balla, akuzat tuaja ndaj kreut të Partisë Mundësia janë kthyer në një Agronofobi, frikë ndaj Agron Shehajt. Nuk do të na e mbyllni dot gojën. Ju nuk jeni mësuar me një model biznesmeni që krijon vende pune dhe paguan miliona euro taksa. Jeni mësuar me modele çantash, siç doli ai përgjimi i famshëm: Jam Taulanti, dua 100 mijë euro. Dhe e çoi çantën ai biznesmeni se mendoi se ishte vërtet Balla. Vazhdo me bixhozin në mes të Europës, por qytetarët kanë dalë në shesh dhe nuk do t’ju lejojnë më.
Balla: Të fala Gones. O Gone, i vetmi deputet që ka ardhur me asistent me vete je ti. Hapu pak ti fotograf se dua ta shoh pak këtë. Kur numëronim votat, më fusje miq që t’i thonim numëruesve tanë të ruante votat se po t’i vishte PD. Është e vërtetë apo jo, turp të kesh. Ti dhe miqtë e tu nuk kishit besim te numëruesit e PD dhe më kërkove me mesazh: Të lutem më ruaj votat se po mi vjedhin. Dhe votat t’i mbrojtën numëruesit e PS dhe ti erdhe në këtë sallë. Në këtë kuadër, unë mendoj se koha që partitë të numërojnë vota duhet të marrë fund. Po të isha prej teje do të flisja për këtë, jo të mbroja kryetarin e partisë. Edhe shtëpia e Madonnës, 115 metra katror nuk do të bënte 15 milionë euro, pavarësisht famës që ka marrë Gonia. Pavarësisht se simbol i protestës ishte flamingo, do të konsideroja edhe një kalë të bardhë të bukur. Dhe te ky kali, ti, Gonia dhe kali, jeni si ajo miza në fundshpinën e kalit. Dhe unë respektoj kalin, por mizën atje. Unë nuk ju njoh juve si përfaqësues të protestës. Unë nuk di që qenka herezi që disa shokë të ulen privatisht duke parë një ndeshje futbolli, duke konsumuar 250 mililitra birrë dhe vetëm një maskara e quan skandal të luash me letra. Unë kam edhe foto të tij duke luajtur me letra, por nuk e nxjerr këtu.
Kapri: Kjo dhunë që vazhdoni në Parlament që vetë flisni, vetë votoni dhe vetë duartrokisni njëri-tjetrin është shumë qesharake. Pak më parë z.Balla tentoi të më intimidojë, sepse mendon se ka të bëjë me të njëjtit deputetë që ka bërë prej vitesh. Unë nuk e kam numrin tënd të telefonit dhe as nuk do e kem ndonjëherë. S’ka shanse që të kemi folur ndonjëherë bashkë ne të dy dhe s’do ketë shanse të ndodhë. Bëni çfarë të doni. Nuk ia dilni dot. Përballë do na kesh dhe përballë do të jemi deri sa të largoheni siç e kërkon rinia shqiptare.
Top Channel