“Nuk ka reduktim të mjekëve”, Ministria e Shëndetësisë për riorganizimin e Qendrës Shëndetësore nr.10: Qytetarëve nuk i ndryshon vendi ku marrin shërbime

10/07/2026 10:37

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka deklaruar se nuk ka asnjë reduktim të mjekëve në qendrat shëndetësore apo në spitalet e vendit.

Ndryshimet e ndërmarra së fundmi nuk prekin stafet mjekësore apo ofrimin e shërbimit për qytetarët, por lidhen me një riorganizim administrativ që synon forcimin e mjekësisë familjare dhe rritjen e cilësisë së shërbimit.

Sa i takon organizimit të Qendrës së Mjekësisë Familjare (ish-Qendra Shëndetësore Nr. 10), MSHMS bën me dije se mjekët specialistë do të vijojnë të ushtrojnë aktivitetin në të njëjtat ambiente dhe do t’i shërbejnë të njëjtës popullatë, duke kaluar vetëm administrativisht në varësi të Qendrës Shëndetësore të Specialiteteve Nr. 1, Tiranë.

Për qytetarët nuk ndryshon as vendi ku marrin shërbimin dhe as mjeku që i ndjek. Riorganizimi administrativ synon një koordinim më efikas të shërbimeve dhe përmirësimin e kujdesit shëndetësor.

Qendra funksionon gjithashtu në përputhje me marrëveshjen ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Universitetit të Mjekësisë Tiranë, duke shërbyer si bazë për formimin praktik të mjekëve specializantë në mjekësinë familjare.

Top Channel