Ushtronin aktivitet financiar pa licencë, Prokuroria e Beratit kërkon masa sigurimi për 11 persona, sekuestrohen 88 mln lekë dhe 118 mijë euro

10/07/2026 10:58

Prokuroria e Beratit ka kërkuar masa sigurimi ‘Arrest në shtëpi’ dhe ‘Detyrim paraqitjeje’, për 11 persona që janë nën hetim për veprën penale ‘Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare’.

Nga hetimet rezultoi se në gjashtë subjektet tregtare të hetuara, nga administratorët dhe punonjësit e tyre, është ushtruar aktivitet këmbimi valutor pa lejen e organeve kompetente.

Hetimet gjashtë mujore u shtrinë në pesë bashki në të gjithë qarkun dhe arritën të provojnë aktivitetin e paligjshëm të shtetasve S.T., H.S., M.M., S.H., S.C., A.H., A.S., O.V. Z.M., E.T. dhe K.P.

Këta shtetas kishin biznese të regjistruara me fushë veprimtarie “Agjent për kryerjen e veprimtarisë financiare për transfertat e parave në emër dhe për llogari të një subjekti financiar, jo bankë. Më konkretisht, shërbimet Unionnet dhe Western Union, me vendodhje në Berat e Kuçovë rezultuan se nuk ishin në listën e zyrave të këmbimit valutor të licencuara duke funksionuar pa licencë të lëshuar nga Banka e Shqipërisë.

Në bazë të autorizimit të dhënë nga ana e organit të akuzës për lejimin e kryerjes së veprimeve stimuluese dhe kryerjen e regjistrimit të fshehtë fotografik, filmik ose me video, u kryen 28 veprime këmbimi të vlerave monetare në subjektet e dyshuara, duke vërtetuar se ushtrojnë këtë veprimtari pa licencë.

Për sa më sipër Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat kërkoi masat e sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Arrest në shtëpi”.

Nga kontrollet e ushtruara në funksion të këtij procedimi, u gjetën dhe sekuestruan: 88 milionë lekë; 118 mijë euro; 7390 dollarë; dhe 665 paund.

Top Channel