Nis gjyqi në themel për ish-çiftin/ Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi të pranishëm në seancë, ish-presidenti përfaqësohet nga një avokat tjetër

09/07/2026 11:45
Foto ilustruese

Sot mbahet gjyqi në themel për ish-presidentin Ilir meta dhe Monika Kryemadhi në GJKKO.

Monika Kryemadhi ka mbërritur për seancën, teksa ka vendosur të shkojë me një bluzë me mbishkrimin “Është një ditë e mrekullueshme”.

“Sot është dita e së vërtetës. Kam mbrojtjen, do t’i zbërthej manipulimet që janë bërë”, tha Kryemadhi.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se procesi ka nisur tashmë, të pranishëm në seancë janë të dy, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.

Ilir Meta ka zgjedhur të përfaqësohet nga avokati Bujar Musta, kjo pasi vendosi të mos bashkëpunojë më me Kujtim Cakranin.

Gjykata iu drejtua Metës: Aktet janë gati prej kohësh, por mbrojtësi juaj ka refuzuar t’i marrë. Mund të paraqitet avokati për t’i marrë, ose ua vëmë në dispozicion në paraburgim.

Meta: Vojsava Ismailaj e dha intervistën pas një sms që më dërgoi dhe unë refuzova ta takoj. Kam njoftuar me 5 janar prokurorin e përgjithshëm dhe nisi një çështje, pasi zonja kishte lidhje me elemente destabilizues.

Avokati i Monika Kryemadhit: Nuk ka çështje gjyqësore, por politike. Akti i ekspertimit financiar të shpallet i pavlefshëm dhe i papërdorshëm

Redi Llanaj, avokati i Monika Kryemadhit, po paraqet kundërshtimet ndaj akuzës së SPAK për ish-deputeten.

“Vetë SPAK pranon se blerja e vilës nuk ka korrupsion. Kjo çështje nuk është juridike, por politike. Këtu nuk ka fakt penal. Prokurori është kthyer në një vegël…”, u shpreh ai.

Gjykata: Gjykata ju tërheq vëmendjen të mos cenoni solemnitetin e kësaj seance duke përdorur terma të tillë.

Llanaj: Fjala ‘vegël’ nuk është fjalë ofenduese, do të thotë instrument.

Po ashtu, avokati kërkoi kryerjen e një akt-ekspertimi kontabël për të ardhurat ndër vite të çiftit Meta-Kryemadhi.

“Ky akt, për ne, është totalisht i njëanshëm dhe duhet të konsiderohet i papërdorshëm dhe i pavlefshëm. Ne kemi paraqitur një akt-ekspertim që e kundërshton këtë akt. Mendoj se ky është momenti për ta bërë këtë kërkesë, që të caktohet një ekspert i pavarur ose një grup ekspertësh, sepse është një provë thelbësore.

Po ashtu, ne kemi kërkuar dëshminë e zotit Shatku. Nuk është bërë asnjë përpjekje për të marrë dëshminë e tij. Ne kërkojmë që dëshmia e tij të merret me letërporosi. Ka disa elementë që mund të sqarohen nga dëshmia e tij, si mënyra e njohjes me Kryemadhin, kush e inicioi kontratën dhe nëse zonja Kryemadhi mund ta bënte këtë negociatë. SPAK nga telefoni ka gjetur foton e një karte dhe ia atribuon përdorimin e kësaj karte të pandehurës Monika Kryemadhi. Do të ishte me interes që ai ta shpjegonte këtë pjesë. Po ashtu, kërkojmë marrjen e dëshmisë së një shtetasi afrikano-jugor, për ta pyetur lidhur me marrëveshjen dhe nëse Monika Kryemadhi ka pasur kompetencën apo fuqinë për të negociuar atë kontratë.”

SPAK pretendon se Adrian Shatku kërkonte që kompania e tij UNIFI të lidhte një kontratë interkoneksioni ndërkombëtar.

Nga komunikimet e gjetura në telefonin e Monika Kryemadhit, sipas SPAK, rezulton se ajo dhe Ilir Meta janë angazhuar për të ndihmuar realizimin e kësaj marrëveshjeje. Në dosje përmenden takime me drejtues dhe biseda me Adrian Shatkun për ecurinë e negociatave.

Në një nga mesazhet, Shatku pyet Kryemadhin nëse janë takuar me një person që identifikohet si “Afrikano-Jugori”, ndërsa diskutohen hapat për firmosjen e marrëveshjes. Pikërisht për këtë arsye avokati kërkoi që ai shtetas të dëshmojë, pasi pretendon se mund të sqarojë nëse Kryemadhi ka pasur realisht ndonjë rol në negociata.

Redi Llanaj kërkoi të pyetet Esmeralda Shkjau, Vali Bizhga, Edi Rama, si kryeministër dhe propozues i projektligjit nga Këshilli i Ministrave, Damian Gjiknuri, ish-ministër i Energjisë dhe Industrisë, që ka prezantuar në Kuvend ndryshimet në ligjin e minierave. Deputetët që kanë propozuar ndryshimet e ligjit nr. 134/2014.

Top Channel