Tre sulme me bomba artizanale në Selanik: Shënjestra, drejtues të partisë “Demokracia e Re”/ Ndërron jetë edhe një grua

01/07/2026 19:27

Tre sulme të koordinuara me bomba artizanale gazi kanë tronditur në orët e para të mëngjesit Selanikun, duke vënë në shënjestër banesat e tre drejtuesve lokalë të partisë në pushtet, Demokracia e Re.

Ngjarja mori përmasa tragjike, pasi nëna e një prej drejtuesve lokalë humbi jetën në spital, pas plagëve të marra nga zjarri dhe tymi që përfshiu pallatin.

Sulmi më i rëndë ndodhi në banesën e Afrodhiti Nestora. Mekanizmi shpërthyes ishte vendosur në një automjet në parkingun në hyrje të pallatit. Shpërthimi u pasua nga një zjarr i fuqishëm dhe tymi përfshiu të gjithë godinën. Nëna e saj u plagos rëndë gjatë përpjekjes për të shuar flakët. Ajo u dërgua e intubuar në repartin e terapisë intensive, por nuk arriti të mbijetojë.

Vetë Nestora mbetet e shtruar në spital. Ajo ka djegie në duar dhe këmbë, si dhe probleme në frymëmarrje nga tymi. Edhe babai i saj u dërgua në spital me probleme respiratore, ndërsa gjendja e tij paraqitet më e mirë. Dy banorë të tjerë të pallatit morën ndihmën e parë për shkak të tymit.

Dy sulmet e tjera kishin në shënjestër banesat e kryetarit të Demokracisë së Re në Selanik, Zisis Ioakeimovits, dhe ish-deputetit Savvas Anastasiadis. Në një rast mekanizmi ishte vendosur në hyrje të pallatit, ndërsa në tjetrin në një hapësirë përballë banesës, duke shkaktuar dëme materiale.

Hetimet i ka marrë në dorë Shërbimi Antiterror. Sipas autoriteteve, sulmet janë kryer pothuajse njëkohësisht, ndërsa kamerat e sigurisë kanë filmuar një të ri që dyshohet se ka lënë një nga mekanizmat shpërthyes.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta politike. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis dënoi sulmet, i cilësoi ato si akt terrorist dhe vizitoi Selanikun i shoqëruar nga ministrat e Mbrojtjes së Qytetarit dhe Shëndetësisë. Ai deklaroi se shteti do të tregojë tolerancë zero ndaj terrorizmit dhe premtoi se autorët do të identifikohen dhe do të dalin përpara drejtësisë.

Top Channel