Rama sfidon kritikët, publikon videon nga Banjat e Bënjës me turistë që festojnë: Kësaj radhe s’nuk… fitoi e vërteta Në ditën e 28-të të protestës qytetarët nisën grumbullimin në sheshin “Skënderbej”, si çdo ditë në orën 19:00
Me pankarta në duar për dorëheqjen e qeverisë, ata nisën marshimin, për t’u stacionuar drejt Kryeministrisë, ku për afro tri orë mbajtën dhjetëra fjalimet dhe thirrjet kundër klasës sonë politike. E sotmja konsiderohet si protestë kombëtare, pasi kishte edhe prani të diasporës, një pjesë të të cilëve iu dha mundësia të flasin në podiumin e improvizuar.
Pas mbi dy orësh qëndrim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës, një veprim për të cilin janë proceduar dhjetëra protestues në ditët e shkuara.
Organizatorët në ditët e shkuara kanë bërë të njohura një sërë kërkesash, mes tyre dorëheqja e qeverisë aktuale, krijimi i një qeverie teknike dhe anulimi i disa ligjeve, që sipas tyre, prekin interesat kombëtare dhe ndikojnë keq në mjedis.
Sot, një nga protestuesit njoftoi hapin e radhës, që sipas tij do të jetë krijimi i një Kuvendi Kombëtar. Këtë ide ai e shtroi në foltoren e improvizuar dhe mori miratimin e turmës.
“Kam folur për ngritjen e një kuvendi kombëtar, i jemi futur punës për ta bërë këtë. Janë mbledhur rreth 500 kandidatë potencialë. Në fund do të zgjidhen 300 vetë dhe të gjithë do të dalin këtu para popullit. Asnjë nuk do të vetëzgjidhet apo që do të dalë nga një grup i vogël”, u shpreh një prej protestuesve.

E pranishme në protestë, siç ishte paralajmëruar, ishte edhe eurodeputetja italiane e ekstremit të majtë, Ilaria Salis, e cila mbajti edhe një fjalë në podiumin e improvizuar përpara Kryeministrisë.
“Është nder i madh që të jem këtu, sepse Europa nuk është në Bruksel, por këtu. Kjo është Europa më e mirë, sepse një popull me inteligjencën, dëshirën dhe ëndrrën e vet po ngrihet. Ishulli i Sazanit dhe Narta duhet të qëndrojnë të mbrojtura për të gjithë brezat dhe jo të bëhet park pasanikësh.
Duhet anuluar, sepse bazohet në korrupsion, kjo nuk ndodh vetëm këtu, por edhe në Europë dhe gjithë botën. Këtu po bëhet historia, po i tregohet rruga të gjithë popujve. Shqipëria nuk është në shitje dhe të drejtat e natyrës duhet të vijnë përpara parasë, imperializmin dhe oligarkive. Rroftë Revolucioni i Flamingove dhe rroftë Shqipëria”, u shpreh Ilaria Salis.
Top Channel