Spanja merr frymë e lehtësuar, zbardhet gjendja e të dëmtuarve Yeremy Pino dhe Nico Williams

27/06/2026 21:19

Kombëtarja e Spanjës ka marrë lajme më pozitive pas ekzaminimeve mjekësore të kryera për Yeremy Pino dhe Nico Williams, të cilët u dëmtuan në ndeshjen ndaj Uruguait.

Për Yeremy Pino, analizat kanë përjashtuar një frakturë. Sulmuesi vuan nga një ndrydhje në nyjën akromioklavikulare të shpatullës, një dëmtim më pak i rëndë nga sa u mendua fillimisht.

Ndërkohë, Nico Williams ka pësuar një dëmtim muskulor në aduktorin e këmbës së djathtë, si pasojë e një ndërhyrjeje të fortë gjatë ndeshjes.

Federata Spanjolle e Futbollit bëri të ditur se të dy lojtarët kanë dëmtime të shkallës mesatare dhe rikthimi i tyre në fushë do të varet nga ecuria e rikuperimit në ditët në vijim.

Megjithatë, diagnoza ka sjellë lehtësim në kampin spanjoll, pasi janë përjashtuar dëmtime më të rënda dhe nuk përjashtohet mundësia që të dy të rikthehen nëse Spanja vazhdon rrugëtimin në Kupën e Botës.

Top Channel