Thellohet bilanci i tërmetit në Venezuelë, të paktën 164 të vdekur dhe 971 të plagosur

25/06/2026 12:36

Bilanci i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi Venezuelën është rënduar. Të paktën 164 persona kanë humbur jetën dhe 971 të tjerë janë konfirmuar të plagosur, njoftoi presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodríguez.

Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet më tej, pasi ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë punën në zonat ku ndërtesa të shumta janë shembur ose dëmtuar rëndë.

Sipas Rodríguez, pas dy lëkundjeve kryesore janë regjistruar të paktën 30 pasgoditje, duke vështirësuar operacionet e shpëtimit dhe duke mbajtur në alarm banorët.

Presidentja në detyrë tha se Venezuela po bashkëpunon me Kombet e Bashkuara për dërgimin e ekipeve të shpëtimit, ndërsa po punohet edhe për krijimin e një fondi fillestar prej 200 milionë dollarësh për rindërtimin.

Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë dhe të bashkuar, duke u kërkuar të qëndrojnë në banesat e tyre vetëm nëse strukturat janë të sigurta.

Ndërkohë, autoritetet vijojnë kontrollet në ndërtesat e dëmtuara, ndërsa frika është se bilanci tragjik mund të rritet në orët në vijim.

Top Channel