Çështja e mbrojtjes, Zvicra po shqyrton blerjen e një sistemi kundërajror nga Franca, Izraeli ose Koreja e Jugut

24/06/2026 19:55

Zvicra ka nisur negociata me Francën, Izraelin dhe Korenë e Jugut për blerjen e një sistemi të ri të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë veprimi, si pasojë e vonesave në dorëzimin e sistemit amerikan Patriot.

Ministria Federale e Mbrojtjes bëri të ditur se synon të sigurojë një sistem shtesë mbrojtës që do t’i mundësojë vendit të forcojë në kohë të shpejtë kapacitetet kundër sulmeve raketore në distanca të mëdha.

“Duke pasur parasysh përkeqësimin e situatës së sigurisë, Zvicra duhet të jetë në gjendje të mbrohet shpejt nga kërcënime të tilla”, thuhet në deklaratën zyrtare të ministrisë.

Autoritetet zvicerane theksojnë gjithashtu se blerja e një sistemi të dytë do të ulte varësinë nga një furnizues i vetëm dhe do të rriste fleksibilitetin në mbrojtjen kombëtare.

Në mars të këtij viti, qeveria zvicerane njoftoi se po shqyrtonte mundësinë e blerjes së një sistemi shtesë të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë veprimi, me preferencë për një zgjidhje të prodhuar në Evropë.

Sistemi i ri do të funksiononte paralelisht me Patriot, për të cilin Zvicra kishte marrë vendimin e blerjes që në vitin 2021. Megjithatë, autoritetet zvicerane vlerësojnë se dorëzimi i sistemit amerikan do të vonohet nga katër deri në pesë vjet.

Pavarësisht kësaj, qeveria konfirmoi se nuk do të tërhiqet nga marrëveshja për Patriot.

Sipas Bernës zyrtare, situata aktuale e sigurisë nuk lejon ndërprerjen e programit pa pasur një alternativë të gatshme. Për më tepër, autoritetet theksojnë se do të ishte e vështirë të llogariteshin kostot që do të sillte anulimi i kontratës.

Për këtë arsye, pagesat për sistemin Patriot janë rifilluar, me synimin që projekti të vazhdojë me sa më pak vonesa dhe pa kosto shtesë të konsiderueshme.

Zvicra kishte pezulluar pagesat për sistemin Patriot gjatë vjeshtës së kaluar, pasi afatet e dorëzimit u bënë të pasigurta.

Kjo ndodhi pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se disa furnizime do të shtyheshin për shkak të prioritetit të dhënë mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

Në mars, qeveria zvicerane bëri të ditur gjithashtu se SHBA kishte transferuar fondet e destinuara për blerjen e avionëve luftarakë F-35 drejt programit Patriot, duke anashkaluar përkohësisht ngrirjen e pagesave të vendosur nga Berna.

Ndërkohë, autoritetet zvicerane kanë rishikuar edhe planin për blerjen e avionëve luftarakë amerikanë F-35A.

Fillimisht ishte parashikuar blerja e 36 avionëve, por për shkak të rritjes së kostove të lidhura me inflacionin dhe çmimet më të larta të lëndëve të para, Zvicra vlerëson se do të mund të sigurojë vetëm 30 njësi.

Vendimet e fundit tregojnë përpjekjet e Bernës për të përforcuar mbrojtjen kombëtare në një periudhë kur tensionet ndërkombëtare dhe sfidat e sigurisë po shtohen në Evropë dhe më gjerë.

Top Channel