Alarm shëndetësor në Francë/ Konfirmohet rasti i parë i Ebolës, pacienti nën izolim të plotë

24/06/2026 14:30

Ebola është konfirmuar për herë të parë në Francë që nga fillimi i epidemisë aktuale, sipas Ministrisë së Shëndetësisë franceze.

Pacienti i infektuar është një mjek humanitar, i cili ishte kthyer së fundmi nga një zonë në Republikën Demokratike të Kongos ku virusi është ende aktiv. Ai është transportuar menjëherë në një spital të specializuar dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme.

Autoritetet shëndetësore kanë bërë të ditur se rasti është identifikuar në Francën metropolitane, ndërsa pacienti është vendosur në izolim të plotë. Aktualisht po kryhet gjurmimi i kontakteve për të parandaluar çdo përhapje të mundshme të infeksionit.

Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se rreziku për popullatën e përgjithshme në Evropë mbetet “i ulët”, megjithatë situata po monitorohet nga afër.

Sipas raportimeve nga “Ouest France”, që prej mesit të majit në Republikën Demokratike të Kongos janë regjistruar rreth 1,000 raste të infektimit dhe 254 viktima, edhe pse shifrat mund të jenë më të larta për shkak të nënraportimit.

Autoritetet franceze dhe shëndetësore europiane po ndjekin situatën me vëmendje të shtuar për të shmangur çdo përhapje të mëtejshme të virusit.

Top Channel