“500 avionë amerikanë u ngritën nga Italia për në Iran”/ Rutte: Kur shikoni investimet e vendeve të NATO-s…

24/06/2026 15:22

NATO ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e operacionit “Epic Fury” në Iran, ku bazat ushtarake në Itali janë përdorur në mënyrë “masive”, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës, Mark Rutte.

Duke folur për Fox News, Rutte deklaroi se rreth 500 avionë amerikanë kanë ngritur fluturim nga territori italian si pjesë e operacionit, ndërsa në nivel europian janë regjistruar nga 4.000 deri në 5.000 misione ajrore në total.

Ai theksoi se disa baza europiane janë vënë në dispozicion nga aleatët “vend pas vendi”, duke e kthyer Evropën në një “platformë projekcioni force” për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas Rutte, në rastin e Italisë, përdorimi i bazave ushtarake ka qenë veçanërisht i madh, ndërsa përmendi edhe Rumaninë, ku aeroportet civile në Bukuresht janë përdorur pjesërisht për avionë ushtarakë cisternë, duke ndikuar edhe në trafikun ajror komercial.

Ai shtoi se do të diskutojë me Presidentin amerikan Donald Trump mbi kontributin e përgjithshëm të aleatëve të NATO-s, veçanërisht në rritjen e investimeve për mbrojtjen.

Rutte theksoi se shifrat e investimeve të vendeve anëtare janë “shumë të larta” dhe tejkalojnë pritshmëritë fillestare, duke forcuar ndjeshëm Aleancën.

“Kur shikoni numrin e investimeve që vendet e NATO-s po bëjnë tani në mbrojtjen e tyre, ato janë mbresëlënëse”, tha ai.

Sipas tij, presioni i ushtruar nga Trump mbi aleatët ka ndikuar në rritjen e shpenzimeve ushtarake në Europë dhe Kanada, duke e bërë NATO-n më të fortë dhe më të aftë për të garantuar sigurinë kolektive.

Ai shtoi gjithashtu se kjo dinamikë ka sjellë përfitime edhe në sektorin industrial dhe ekonomik, dukekrijuar vende pune në të dy anët e Atlantikut, si pjesë e një “dividenti të mbrojtjes”.

Top Channel