Live/ Qeveri teknike me mandat 12 mujor, ndryshim i Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, protestuesit rendisin 5 kërkesa: Kryeministri jo më shumë se 2 mandate

22/06/2026 21:15

Ka nisur në kryeqytet dita e 23-të e protestës jopartiake.

Një pjesë e qytetarëve nisën grumbullimin në sheshin ‘Skënderbej’, ndërsa pjesa tjetër ishin stacionuar para Kryeministrisë aty ku u mbajnë fjalimet si çdo ditë tjetër.

Qytetarët kanë përfunduar fjalimet, ndërsa paralajmëruan se do të kthen në sheshin ‘Skënderbej’, për të marshuar sërish rreth Bashkisë.

Një nga qytetarët i cili mbajti fjalën para Kryeministrisë listojë kërkesat e qytetarëve për qeverinë:

Kërkesat: 

Dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit dhe të qeverisë.

Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.

Ndryshime Kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera:

Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;

Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;

Kufizimin e ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.

Paralelisht, kërkojmë:

Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;

Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;

Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;

Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.

Kontrata e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës”, u shpreh qytetari.

“Zoti Eric Wendt, kur një diktator e shtyp popullin e vetëm, cila është rruga për ta rrëzuar? Është protesta dhe ne kemi protestuar deri në fund. Të lutem ambasador parandalo çdo incident, ne jemi popull proamerikan, kemi nevojë për aleatët tanë”, ishte thirrja e një tjetër protestuesi drejtuar ambasadorit Wendt.

Qytetarët janë grumbulluar në orën 19:00 ashtu siç është njoftuar edhe ditë më parë për ndryshimin e orarit.

Siç raporton gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat, një pjesë e protestuesve kanë vendosur të qëndrojnë për 24 orë para Kryeministrisë që prej protestës kombëtare të së shtunës.

Kërkesat e qytetarëve vazhdojnë të jenë po ato që nga dita e parë, duke e shoqëruar tubimin e tyre me thirrje si: Rama n’burg, Berisha n’burg.

Protestuesit të cilët ndodheshin në shesh kanë nisur marshimin duke kaluar edhe pranë ‘Fan Zone’ në qendër të Tiranës.

“Ne po bëjmë revolucion, s’ka Botëror që na ndalon”, ishte thirrja e protestuesve ndërsa kalonin pranë ‘Fan Zone’.

Ndërkohë një nga folësit me megafon ka lajmëruar se nesër në orën 10:00 do të mbajnë një tjetër kryengritjen para Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, duke ftuar edhe sindikatat për t’u solidarizuar me ta.

Top Channel