Të paktën një person ka humbur jetën dhe rreth 1,700 turistë janë evakuuar pas një zjarri të madh që përfshiu një resort turistik në zonën bregdetare të Bayahibe, në juglindje të Republikës Dominikane.

Flakët shpërthyen në kompleksin hotelier gjatë orëve të para të ditës, duke shkaktuar panik mes pushuesve dhe duke detyruar autoritetet të ndërmarrin një operacion masiv evakuimi. Turistët u transferuan në hotele dhe ambiente të sigurta në zonë, ndërsa ekipet e emergjencës punuan për të vënë nën kontroll zjarrin.

Sipas autoriteteve, viktima është një turiste 46-vjeçare italiane, e cila humbi jetën nga asfiksia si pasojë e thithjes së tymit. Trupi i saj u gjet gjatë operacioneve të kërkimit dhe më pas u dërgua për ekzaminime mjeko-ligjore.

Për shuarjen e flakëve u angazhuan dhjetëra zjarrfikës, forca të mbrojtjes civile dhe ekipe të specializuara të emergjencës. Në operacion morën pjesë gjithashtu autoritetet lokale dhe strukturat e sigurisë, të cilat koordinuan evakuimin e turistëve dhe sigurimin e zonës.

Autoritetet sqaruan se objektet turistike përreth nuk pësuan dëme të mëdha, megjithatë disa prej tyre u evakuuan përkohësisht për arsye sigurie. Shumë nga turistët e larguar nga resorti i përfshirë nga flakët janë sistemuar në hotele të tjera të zonës.

Ndërkohë, është hapur një hetim për të përcaktuar shkaqet e zjarrit. Sipas vlerësimeve paraprake, përhapja e shpejtë e flakëve mund të jetë favorizuar nga materialet e ndezshme në strukturën e ndërtesës, si edhe nga kushtet atmosferike në zonë.

Autoritetet pritet të publikojnë rezultatet e para të hetimit pas përfundimit të plotë të operacioneve në vendngjarje.

Top Channel