Humbi kontrollin e mjetit bujqësor dhe ra nga disheza, ndërron jetë 65-vjeçari në Garunjas të Lushnjës

17/06/2026 20:58

Një 65-vjeçar ka humbur jetën aksidentalisht në fshatin Garunjas, në Njësinë Administrative Ballagat të Bashkisë Lushnje.

Viktima, Besnik Hasalla, banor i këtij fshati, ka qenë duke punuar në pronën e tij të mbjellë me ullinj, në një zonë kodrinore me terren të thepisur. Sipas të dhënave paraprake, teksa kishte nisur punimet për të frezuar ullishten, mjeti bujqësor me agregat frezë ka dalë nga kontrolli në një dishezë.

Në fund të pjerrësisë, mjeti është përmbysur, duke e zënë poshtë 65-vjeçarin, i cili ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e ambulancës, të cilat kanë transportuar trupin e të ndjerit drejt morgut, ndërsa grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, dyshohet se shkak i daljes nga kontrolli të mjetit bujqësor ka qenë terreni i pjerrët ku po kryheshin punimet.

Ky është rasti i tretë brenda një harku kohor prej dy muajsh në zonën e Lushnjes, ku aksidentet me mjete bujqësore kanë rezultuar fatale për fermerët që drejtonin këto mjete

Top Channel