Mbahet në Tiranë protesta e 17-të para Kryeministrisë/ Fjalimet u lihen të rinjve, sulmohet komisionerja e BE-së: U bë Narta kos, garancitë s’pinë ujë

16/06/2026 23:05

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ishte kryefjala e protestës në Tiranë, në ditën e saj të 17.

Një ditë pas deklaratës së saj se Komisioni Evropian ka marrë garanci nga qeveria shqiptare për projektin në Zvërnec, protestuesit shqiptarë sulmuan zyrtaren e lartë të unionit dhe dhanë mesazhin se nuk tërhiqen.

Qytetarët u grumbulluan në sheshin ‘Skënderbej’, si çdo ditë tjetër, për të vazhduar më pas me marshimin përgjatë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe për t’u stacionuar para Kryeministrisë, aty ku të rinjtë po mbajnë fjalimet.

Në ditën e 17, protesta në Tiranë, nisur nga projekti i Zvërnecit, u la në dorën e të rinjve. “Pa rini nuk ka Shqipëri”, ishte slogani që shoqëroi tubimin, ku podiumi ju dorëzua studentëve në një bashkëbisedim me Edi Ramën për së largu poshtë zyrës së tij.

“Një qeveri që nuk mbështet interesat tuaja, është armiku juaj. Nuk mund të krijojmë arrogancën, sikur ky vend i përket një padroni”, u shpreh artisti Robert Aliaj gjatë fjalës së tij.

“Po të jetë nevoja do flemë te shkallët deri në dorëheqje”, u shpreh një student i Gazetarisë.

Sot u njoftua edhe ndryshimi i orës së grumbullimit. Duke nisur që nga nesër protesta do të nisë në orën 19:00.

Po ashtu, nismëtari Alben Kola ka njoftuar se sot nuk do të mbajë askush fjalime, përveç të rinjve.

“Protesta do të vijojë paqësore. Nuk jemi kundër partive, por kryetarëve të tyre”, u shpreh Kola.

Top Channel