Nga Ekuadori në Europë/ Kush është Dritan Gjika, kreu i grupit të transportit ndërkombëtar të kokainës që u godit nga SPAK

16/06/2026 18:16

Dritan Gjika është përmendur si një nga personat kryesorë të dyshuar në një grup të strukturuar kriminal, i goditur së fundmi nga SPAK në një operacion të gjerë kundër trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimit të parave.

Sipas të dhënave hetimore, Gjika dyshohet se ka luajtur rol qendror në një rrjet që autoritetet e lidhin me trafikun e drogës me bazë në Ekuador, i cili vepronte në bashkëpunim me struktura kriminale në Europë.

Ai raportohet se ka mbërritur për herë të parë në Ekuador në vitin 2009 me vizë të përkohshme dhe me kalimin e viteve është bërë një nga emrat e përfshirë në hetime ndërkombëtare për trafikun e lëndëve narkotike.

Hetuesit dyshojnë se organizata e tij funksiononte në disa nivele, duke përfshirë drejtimin e operacioneve, logjistikën dhe një rrjet bashkëpunëtorësh të përfshirë në transport dhe shpërndarje droge drejt Europës, përfshirë vende si Holanda, Belgjika dhe Spanja.

Gjithashtu dyshohet se përmes kompanive të ligjshme është realizuar pastrimi i miliona dollarëve të ardhura nga aktiviteti kriminal, me vlera që në disa raporte përmenden mbi 43 milionë dollarë.

Sipas raportimeve, Gjika është arrestuar në vitin 2025 në Abu Dhabi, ndërsa emri i tij vijon të jetë pjesë e hetimeve ndërkombëtare të koordinuara mes SPAK dhe agjencive ligjzbatuese të huaja.

Top Channel