Burg për djalin e Princeshës së Kurorës së Norvegjisë, shpallet fajtor për dy raste përdhunimi
Ish-kryeministri kanadez Justin Trudeau është përballur me një valë kritikash në rrjetet sociale pasi zgjodhi të mos ishte i pranishëm në ndeshjen e parë të Kanadasë në Kupën e Botës 2026, duke preferuar të merrte pjesë në ceremoninë hapëse të ndeshjes së Shteteve të Bashkuara, ku performoi partnerja e tij, këngëtarja e njohur Katy Perry.
Vendimi i Trudeau shkaktoi reagime të shumta në opinionin publik kanadez, duke e detyruar ish-kreun e qeverisë të reagojë publikisht. Përmes një postimi në platformën X, ai kërkoi falje për mungesën e tij në ndeshjen e kombëtares kanadeze.
“Ndonjëherë të jesh partner mbështetës të thërret në detyrë”, shkroi Trudeau, duke shtuar më pas se mbështetja e tij për Kanadanë mbetet e pandryshuar. “Por ju e dini se për cilin ekip po bëj tifo për të fituar Kupën e Botës”, shtoi ai, duke shoqëruar mesazhin me flamurin kanadez.
Kanadaja barazoi 1-1 ndaj Bosnjës në ndeshjen e saj të parë të turneut, ndërsa më vonë gjatë mbrëmjes Shtetet e Bashkuara mposhtën Paraguain me rezultatin 4-1. Para takimit të zhvilluar në Los Anxhelos, Katy Perry interpretoi këngën “Wonder”, pjesë e albumit të saj “143”, të publikuar në vitin 2024.
Gjatë ceremonisë dhe më pas në tribunat e stadiumit, kamerat kapën momente mes Perry dhe Trudeau. Këngëtarja u pa duke përshëndetur ish-kryeministrin me një puthje pas performancës së saj, ndërsa gjatë ndeshjes çifti u shfaq disa herë në ekranet gjigante duke ndjekur sfidën dhe duke shijuar atmosferën sportive.






Pamjet dhe postimi i Trudeau shkaktuan reagime të forta në rrjetet sociale. Disa përdorues e akuzuan atë për mungesë patriotizmi dhe e cilësuan “hipokrit” apo “turp për Kanadanë”, ndërsa të tjerë e kritikuan edhe për jetën e tij personale.
Megjithatë, nuk munguan as komentet humoristike dhe mbështetëse, me disa përdorues që argumentuan se do të kishin vepruar njësoj nëse partnerja e tyre do të performonte në ceremoninë hapëse të Kupës së Botës.
Debati ka rikthyer në vëmendje marrëdhënien e Trudeau me Katy Perry-n, e cila prej muajsh vazhdon të jetë objekt i interesit të mediave dhe publikut ndërkombëtar.
Top Channel