Skandal me biletat në Kupën e Botës 2026/ Mijëra vende bosh në ndeshjen Kore e Jugut-Çeki, “shpërthejnë” kritikat ndaj FIFA-s
Stadiumet e mbushura me tifozë, aeroportet e tejngarkuara dhe fluksi i madh i vizitorëve nga e gjithë bota për Kupën e Botës 2026 po ngre shqetësime serioze te ekspertët e shëndetit publik.
Në qendër të vëmendjes është fruthi, një sëmundje shumë ngjitëse që po rikthehet me ritme alarmante në Amerikën e Veriut.
Specialistët paralajmërojnë se grumbullimet masive të njerëzve gjatë turneut mund të krijojnë kushtet ideale për përhapjen e virusit. Sipas Dr. Krutika Kuppalli, eksperte e sëmundjeve infektive në Qendrën Mjekësore UT Southwestern në Dallas, fruthi është aktualisht sëmundja që shqetëson më shumë autoritetet shëndetësore.
Shqetësimi vjen në një kohë kur rastet e fruthit në SHBA janë rritur ndjeshëm. Vetëm gjatë vitit 2026 janë regjistruar afro 2,000 raste, një shifër që tashmë barazon totalin e rasteve të raportuara gjatë gjithë vitit 2025. Situata është gjithashtu shqetësuese në Meksikë dhe Kanada, dy vendet e tjera pritëse të Botërorit.
Alarmi ishte ngritur më herët nga Pan American Health Organization (PAHO), e cila raportoi se rastet e fruthit në Amerikën e Veriut u dyfishuan gjatë vitit 2025 krahasuar me vitin paraprak. Sipas drejtorit të përgjithshëm të organizatës, Jarbas Barbosa, trendi është përshpejtuar edhe më tej në vitin 2026, me mbi 15,300 raste të regjistruara në rajon.
Ekspertët paralajmërojnë se fruthi mund të mbetet në ajër deri në dy orë pasi një person i infektuar largohet nga një ambient, duke e bërë jashtëzakonisht të lehtë transmetimin në vende me fluks të lartë njerëzish si stadiumet, hotelet, restorantet, aeroportet dhe transporti publik.
Epidemiologia amerikane Katelyn Jetelina theksoi se mjafton një rast i vetëm për të shkaktuar një zinxhir të madh infeksionesh. “Fruthi është i pranishëm në shumë pjesë të botës dhe mund të përhapet si zjarr në pyll nëse gjen persona të pavaksinuar”, paralajmëroi ajo.
Autoritetet shëndetësore në qytetet pritëse të Botërorit po përgatiten për një sfidë të madhe. Komisioneri i Shëndetësisë së Filadelfias, Palak Raval-Nelson, e cilësoi situatën si “një maratonë”, duke iu referuar përpjekjeve që do të nevojiten për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve infektive gjatë turneut.
Ndërkohë, PAHO vazhdon të bëjë thirrje për vaksinim, duke kujtuar se një person i infektuar me fruth mund ta transmetojë virusin te deri në 18 persona të pambrojtur. Sipas organizatës, vaksinimi mbetet arma më efektive për të frenuar rikthimin e sëmundjes dhe për të shmangur një krizë shëndetësore gjatë eventit më të madh sportiv në botë.
Top Channel