Task-forcë e re për sezonin veror, Sula pas takimit me inspektoratet në Durrës: S’mund t’i bësh të gjitha, edhe inspektor, edhe gangster

03/06/2026 14:17

Siguria ushqimore, siguria teknike dhe parandalimi i ndërtimeve, ndërhyrjeve pa leje apo abuzime të tjera në zonat turistike do të jenë në fokus të kontrolleve gjatë sezonit veror.

Nga Durrësi, Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, njoftoi se inspektoriatet do të shtojnë praninë në terren për të garantuar respektimin e ligjit dhe standardeve në të gjithë vijën bregdetare, ndërsa çdo shkelje në zbatimin e detyrës nuk do të tolerohet.

“Nuk jam përfolur kurrë për një aferë. S’mund t’i bësh të gjitha, edhe politikan, edhe inspektor, edhe kryeinspektor, edhe gangster, edhe hajdut edhe imoral. Jo! O përmbush detyrën, ose shko në privat bëj punën tate”, tha ai.

Deklaratat u bënë gjatë një takimi me inspektoriatet rajonale të Durrësit, si IKMT, AKU, Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial e të tjera agjenci. Gjatë trajnimit Kryeinspektori kërkoi profesionalizëm dhe korrektësi në ushtrimin e kontrolleve, duke theksuar se nuk do të tolerohet asnjë rast abuzimi nga trupat inspektuese.

Kryeinspektori Sula bëri të ditur se do të ngrihet një task-forcë e posaçme për monitorimin e sezonit turistik, ndërsa më 11 qershor do të hapet platforma sigurt.gov.al dhe një linjë e gjelbër për denoncimin e çdo abuzimi nga qytetarët.

Duke kujtuar rastin e 10 inspektorëve të AKU-së të larguar nga detyra pas lejimit të hyrjes së misrit me aflatoksinë nga Hani i Hotit, Sula tha se masat ndaj shkelësve do të vijojnë dhe se toleranca ndaj abuzimeve do të jetë zero.

Top Channel