Një ngjarje e rëndë u raportua ditën e sotme në fshatin Grabovë të Permetit, ku dy persona mbetën të dëmtuar për shkak të shpërthimit të një mjeti, që dyshohet të jetë një bombë e vjetër.

Personat, të dy punëtorë, ishin duke bërë riparime në një shtëpi të vjetër në fshatin Grabovë, kur ka ndodhur eksplodimi.

Të dëmtuar nga ky shpërthim, sipas të dhënave të para policore kanë mbetur dy punëtorët, që janë dërguar me urgjencë në spital.

Të plagosurit janë Mustafa Koçi, 53 vjeç, ku sipas raportimeve të spitalit ai ka dëmtim të lehtë në dorë (djegie) dhe Ervis Bregu, rreth 38 vjeç në gjendje të rëndë.

Arma dyshohet se i përket Luftës së Dytë Botërore. Koço Zyba, 68 vjeç, është pronari i shtëpisë.

“Rreth orës 13:00, janë dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Përmetit shtetasit E. B., 38 vjeç, dhe M. K., 53 vjeç, të dy banues në Përmet.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ata janë dëmtuar aksidentalisht nga shpërthimi i një lënde plasëse të mbetur nga periudha të mëparshme (dyshohet bombë e vjetër), gjatë kryerjes së punimeve në murin e një banese të vjetër në fshatin Grabovë, Përmet.

Të dëmtuarit janë transportuar për mjekim të specializuar në Spitalin Rajonal Gjirokastër dhe ndodhen në kujdesin e mjekëve”, njofton policia.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.

 

Top Channel