“Projekt i jashtëzakonshëm, për të cilin po punohet prej vitesh”, Rama për Zvërnecin: Nesër flas unë, përgëzoj policinë për reagimin ndaj grushtit të muskujve pa tru të rojeve private
Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, ka dhënë një deklaratë të përbashkët në Prishtinë me homologun e Kosovës, Glauk Konjufca.
Gjatë fjalës së tij, Hoxha ka theksuar se Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë.
Ndër të tjera, Hoxha deklaroi se Shqipëria nuk do të pranojë e as do të tolerojë ndonjëherë cenimin e sigurisë së qytetarëve e institucioneve të Kosovës dhe do të jetë gjithmonë në krah të tyre.
“Shumë faleminderit i dashur Glauk, ky është një moment i veçantë për mua, madje unik për mua. Si diplomat i Republikës së Shqipërisë, Kosova ka qenë pjesë e pandarë e tryezës sime të punës gjatë çdo dite të 36 viteve të karrierës sime diplomatike. Në detyrën që mbaj sot si kjo përgjegjësi dhe ky përkushtim bëhen edhe më të dukshme.
Prandaj, ndihem thellësisht i emocionuar të jem në Prishtinë, në këtë vizitë të parë zyrtare në Kosovë në detyrën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, një privilegj i shumëfishtë dhe me domethënie të veçantë.
Ishte kuptimplotë që homologu i parë që unë prita në Tiranë në detyrën e re ishte Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, mikëpritësi im sot, z. Glauk Konjufca, të cilin e falënderoj përzemërsisht për mikpritjen e ngrohtë, si dhe për komunikimin e ngushtë e vëllazëror që kemi ndërtuar së bashku.
Pajtohem me gjithçka që tha Ministri. Diskutimet që patëm ishin përmbajtësore, të hapura, të sinqerta dhe vëllazërore, sepse vetëm ashtu mund të jenë bisedimet mes nesh.
Jam këtu për intensifikuar dhe thelluar më tej marrëdhënien tonë strategjike e cila ka në themel historinë e pandashme, të sotmen e ndërlidhur dhe të ardhmen e përbashkët të kombit shqiptar në të dy anët e kufirit, përmes të ardhmes së përbashkët evropiane dhe euroatlantike. Ky partneritet kërkon kujdes të vazhdueshëm, përmbajtje konkrete dhe rezultate të prekshme. Kjo është arsyeja pse isha i paduruar për të ardhur në Kosovë.
Ne në Tiranë nuk do ta themi kurrë mjaftueshëm: Kosova është prioritet absolut i politikës sonë të jashtme. Është një dimension i qartë dhe i pandryshueshëm i qeverisë dhe shtetit shqiptar.
Ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi të drejtpërdrejtë për Shqipërinë në një lidhje të ndërsjellë dhe të pandashme, sepse përparimi i Republikës së Kosovës dhe ai i Shqipërisë ecin krah për krah.
Çdo dhimbje e Kosovës ndihet edhe Shqipëri, ashtu si çdo sukses dhe arritje e saj festohet njësoj edhe tek ne.
Ramë dakord se dinamikat gjeopolitike në rajon dhe në Evropë kërkojnë një intensifikim të mëtejshëm të koordinimit ndërqeveritar dhe diplomatik. U angazhuam për përgatitjen e takimeve të radhës, si dhe për aktivizimin më funksional të Sekretariatit Koordinues, përcaktimin e qartë të fushave ku duhet të përshpejtojmë.
Bashkëpunimi ynë duhet të përkthehet në më shumë lehtësi dhe me pak burokraci; në zhdërvjelltësi zbatimi dhe koordinimi; në projekte konkrete dhe me impakt për qytetarët.
Në këtë kuadër, diskutuam për rritjen e koordinimit mes ministrive tona të jashtme, në të gjitha nivelet strukturore diplomatike, përfshirë edhe përfaqësitë tona përkatëse diplomatike.
Pas 18 vitesh, realiteti ka dëshmuar bindshëm se pavarësia e Kosovës është përkthyer në një sukses për qytetarët e saj, si dhe për paqen dhe qendrueshmërinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Republika e Kosovës është sot një shembull domethënës i ndërtimit të institucioneve demokratike, të një shoqërie të hapur dhe të barabartë, ku të drejtat dhe liritë e qytetarëve mbrohen në përputhje me standardet më të larta evropiane.
Qytetarët e Kosovës, shqiptarë, serbë apo të tjerë, jetojnë sot në një vend me më shumë liri, më shumë siguri dhe më shumë perspektivë për të ardhmen.
Kjo është një arritje që meriton njohje dhe mbështetje të mëtejshme nga komuniteti ndërkombëtar.
I ftoj të gjithë, miqtë e mbështetësit, por edhe skeptikët, brenda dhe jashtë rajonit, të kuptojnë se integrimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare është në interesin e drejtpërdrejtë të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë komunitetet pakicë. Për këtë arsye, anëtarësimi, i vonuar tashmë, i Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë një zhvillim pozitiv për të gjithë qytetarët e vendit. Kjo organizatë ofron mekanizmat më të avancuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të drejtave të pakicave dhe standardeve demokratike.
Në të njëjtën frymë, anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të kontribuonte në mbrojtjen dhe promovimin më të mirë të trashëgimisë së saj kulturore dhe shpirtërore në të gjithë territorin e vendit, pa dallim nëse ajo i përket traditës shqiptare, serbe apo komuniteteve të tjera.
Me Kosovën e lirë dhe demokratike, Ballkani Perëndimor është sot më paqësor, më i zhvilluar, më bashkëpunues dhe më i lidhur me Evropën dhe konsolidimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës është në interes të një rajoni më të qëndrueshëm e më të integruar evropian. Shqipëria do të vijojë të jetë plotësisht e angazhuar në këtë drejtim.
Integrimi evropian përbën ankorim strategjik në një hapësirë vlerash, sigurie dhe stabiliteti.
E përgëzova Ministrin Konjufca për zhvillimet inkurajuese në kuadër të Planit të Rritjes dhe organizimin e ekipit negociator dhe e sigurova për gatishmërinë tonë për ndihmë dhe për të ndarë çdo eksperiencë të vlefshme në këtë drejtim.
Në këtë frymë, pranimi i aplikimit të Kosovës për të marrë statusin e vendit kandidat nuk është dhuratë por mundësi; sepse përkthehet në përshpejtim të reformave dhe vlerave demokratike; është investim në të ardhmen e përbashkët.
Në këtë kuadër duhet parë edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne mendojmë se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është rruga e duhur drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe konsolidimit të paqes afatgjatë, mes dy vendeve fqinjë.
Ndryshimet gjeopolitike dhe paparashikueshmëria në rritje, na ftojnë për një qasje sa më proaktive për të kthyer kohën që kalon, nga kosto në përfitim. Një Kosovë me më shumë miq, e gjithëpranuar dhe e mirëintegruar në strukturat euro-atlantike do të jetë edhe më e fortë, më e sigurtë, edhe më e zhvilluar, edhe më e begatë.
Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe mbështetjen që Shqipëria jep dhe do të vazhdojë të japë në kuadër të NATO-s për afrimin institucional të Kosovës me strukturat euroatlantike.
Prania e NATO-s në Kosovë dhe roli i KFOR-it mbeten faktorë kyç stabiliteti, sepse pa një Kosovë të sigurt, nuk mund të ketë as rajon e as Evropë të sigurt.
Shqipëria nuk do të pranojë e as do të tolerojë ndonjëherë cënimin e sigurisë së qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës dhe do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës, drejtësisë dhe llogaridhënies përballë çdo akti apo individi që përbën kërcënim ndaj saj. Sulmi në Banjska dhe në kanalin Ibër-Lepenc nuk mund të harrohen dhe llogaridhënia duhet të jetë e plotë.
Kam ardhur këtu sot për të transmetuar atë që ka theksuar qartë Kryeministri Rama: kush prek Kosovën, prek Shqipërinë.
Ramë dakord se lidhjet infrastrukturore dhe energjetike janë thelbësore për rritjen e ndërlidhjes dhe konkurrueshmërisë sonë të përbashkët. Hekurudha Durrës–Prishtinë ose hekurudha kuq e zi, zhvillimi i porteve, bashkëpunimi energjetik dhe korridoret e transportit, nuk janë thjesht projekte zhvillimi; janë investime strategjike me ndikim të drejtpërdrejtë në thellimin e integrimit ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve tanë.
Diskutuam për situatën në rajon dhe diasporën tonë. Mbrojtja dhe afirmimi i të drejtave të shqiptarëve në rajon, veçanërisht në Luginën e Preshevës, mbetet një çështje që kërkon koordinim dhe bashkërendim të vazhdueshëm ndërmjet nesh.
Ramë dakord se diaspora përfaqëson një potencial të padiskutueshëm zhvillimi, ndikimi dhe rrjetëzimi. Do të forcojmë projektet e përbashkëta në arsim, kulturë dhe diplomaci publike, duke e trajtuar diasporën si një urë të fuqishme lidhëse, si me atdheun, ashtu edhe mes vetë vendeve tona.
Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë bashkëbiseduesit institucionalë dhe politikë, Presidenten në detyrë, Kryeministrin, të cilët gjetën kohë për tu takuar, edhe pse në një periudhë fushate zgjedhore, dhe madje në një ditë pushimi. E lexoj këtë si një mesazh të qartë se për ne, interesat strategjike dhe marrëdhëniet tona mbeten një prioritet i pandryshueshëm, në çdo ditë, në cdo kohë.
Së fundmi, uroj zhvillimin e suksesshëm të zgjedhjeve dhe shpreh shpresën që procesi i formimit të institucioneve të reja, që do të burojnë nga vullneti i lirë i qytetarëve të Kosovës, të përmbyllet me sukses. Çdo formë presioni apo ndërhyrjeje është e papranueshme dhe bie ndesh me parimet demokratike, aq më tepër kur vjen nga jashtë vendit. Respektimi i sovranitetit, i proceseve demokratike dhe i së drejtës së qytetarëve për të votuar të lirë dhe pa ndikime mbetet një parakusht themelor për çdo shoqëri demokratike.
Është veçanërisht thelbësore që të sigurohet bashkëpunimi i nevojshëm për garantimin e stabilitetit institucional dhe përqendrimin e energjive politike, institucionale dhe shoqërore në realizimin e prioriteteve madhore të vendit.
Kjo është ajo që dëshiron Shqipëria, por është gjithashtu edhe ajo që presin partnerët, mbështetësit dhe miqtë e Kosovës”, tha ai.
Top Channel