“1100 aplikime për programet e inovacionit”/ Kompania e re publike “Albanian Digital Solutions”, Rama: Kemi nevojë të shfrytëzojmë kapacitetet e reja të teknologjisë

31/05/2026 10:16

Në podkastin “Flasim”, kryeministri Edi Rama foli edhe për hapat e rinj në transformimin digjital të administratës publike.

“Këtë javë prezantuam edhe një kompani të re publike, “Albanian Digital Solutions”, një kompani të re publike që shënon fazën e re të transformimit dixhital të shtetit shqiptar. Pas ndërtimit të platformave dhe pastaj dixhitalizimit të mbi 1200 shërbimeve publike, të cilat jepen prej disa vitesh tashmë drejtpërdrejt nga celulari apo kompjuteri përmes e-Albania-s, sot kemi hedhur një tjetër hap për të hyrë në një etapë ku tanimë kapacitetet e reja teknologjike do të na japin mundësinë që të transformojmë thellësisht edhe qeverisjen elektronike të vendit, duke krijuar, në shërbim të këtij qëllimi, një kompani publike që do të jetë një qendër ekselence për talentet shqiptare të teknologjisë dhe që do të mbulojë sferën publike të nevojave dhe të inovacionit në shërbimet publike, të inovacionit në qeverisjen e vendit në të dyja nivelet dhe të inovacionit në shërbim të një transformimi të jashtëzakonshëm.

Sot kemi një rritje të ndjeshme të aplikimeve për programet e inovacionit. Mbi 1100 aplikime kanë ardhur vetëm në ciklin e fundit të granteve për programin “Startup Albania” dhe të gjitha këto na tregojnë se kemi fituar gradualisht një terren ku e kemi nisur edhe në këtë pikë nga fundi i fundit dhe sot kemi një vend në hartën europiane dhe globale të inovacionit për sa i përket sektorit publik, por kemi nevojë të shkojmë shumë më përpara dhe kemi nevojë të shkojmë shumë më përpara në sektorin privat.

Kemi nevojë të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet e reja të teknologjisë edhe në qeverisje, gjë që, faktikisht, e kemi nisur dhe do ta vazhdojmë me intensitet edhe falë kësaj ndarjeje të AKSHI-t në dy pjesë. AKSHI do të jetë drejtuesi, rregullatori dhe monitoruesi i cilësisë, ndërsa “Albanian Digital Solutions”, ADS-ja, do të jetë praktikisht truri që do të prodhojë në mënyrë të vazhdueshme zgjidhjet e nevojshme dhe, nga ana tjetër, do të garantojë mirëmbajtjen e sistemeve tona”, u shpreh Rama.

 

Top Channel