Iranian apo rus? Ky është droni i ri i përdorur nga Kremlini, që alarmoi Evropën pas shpërthimit të tij në Rumani

30/05/2026 22:33

Kur një armë kushton sa një makinë e përdorur dhe fluturon dy mijë kilometra, gjeografia pushon së qeni mburojë, dhe kjo i ndryshon plotësisht llogaritjet e çdo vendi të NATO-s .

Dron rus që u rrëzua në një ndërtesë dhjetëkatëshe në Galati të Rumanis, kilometra larg frontit ukrainas, tregoi në mënyrën më brutale diçka që Evropa refuzoi ta pranonte: lufta me dron nuk ndalet në kufi.

Dronët Shahed janë bërë arma kryesore e Rusisë që nga fillimi i pushtimit të saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022. Ato lëshohen me qindra brenda një nate të vetme dhe përdoren për të goditur objektiva ushtarake, zona të populluara, objekte energjitike dhe infrastrukturë civile. Logjika e tyre nuk është vetëm shkatërrim, është rraskapitje. Kur fluturon pesëdhjetë dronë të lirë së bashku, mbrojtësi detyrohet të shpenzojë raketa të shtrenjta për t’i rrëzuar ato, dhe në një moment rezervat mbarojnë.

Në Ukrainë ato shpesh quhen “moped” për shkak të ulërimës karakteristike, të thellë, si të makinës së kositjes së barit, që dëgjohet në qiellin e natës pak para shpërthimit. Është një tingull që banorët e Kievit, Odesës dhe tani Galatisë kanë mësuar ta kenë frikë.

Shahed-136 apo Geran-2? E njëjta ide, prodhim rus

Geran-2 është versioni vendas rus i Shahed-136 iranian. Është një dron i ri me rreze të gjatë veprimi, njëpërdorimësh, që në gjuhën ushtarake quhet “dron kamikaz”. Ai fluturon drejt objektivit dhe e hedh veten në erë mbi të. Moska ngriti linja prodhimi vendase në vitin 2023, një vit pas fillimit të luftës, në një fabrikë në Tatarstan. Pasi prodhimi u bë një çështje e brendshme, sulmet u rritën ndjeshëm, më shumë dronë në një natë sesa ishin përdorur më parë në muaj.

Karakteristikat shpjegojnë pse taktika funksionon. Geran-2 fluturon relativisht ngadalë, me rreth 180 kilometra në orë, por mund të arrijë distanca deri në 2,000 kilometra, duke mbajtur rreth 50 kilogramë eksplozivë. Krahasuar me raketat balistike dhe ato të nnujore, të cilat udhëtojnë shumë më shpejt dhe kanë fuqi jashtëzakonisht më të madhe, droni është i ngadaltë dhe i dobët. Por kushton midis 25,000 dhe 40,000 euro, një pjesë e kostos së një rakete me vlerë miliona euro. Në një luftë rraskapitjeje, ky raport kostoje është gjithçka për Rusinë.

Top Channel