VIDEO/ Raketat e Hezbollahut bien afër bregdetit izraelit, plazhistët në qytetin e Nahariyas largohen të tmerruar nga shpërthimet
Qeveria amerikane ka tërhequr pjesërisht një vendim të shpallur më 22 maj, i cili parashikonte që aplikantët për statusin e rezidentit të përhershëm (kartën jeshile) të largoheshin nga SHBA-ja për të përfunduar procesin e aplikimit nga vendi i tyre i origjinës.
Sipas raportimit të The New York Times, vendimi u rishikua pas reagimeve dhe protestave të shumta. Departamenti i Sigurisë Kombëtare, institucioni përgjegjës për çështjet e emigracionit, sqaroi se masa nuk do të zbatohet për të gjithë aplikantët, por do të vlerësohet në bazë të çdo rasti individual.
“Ishte thjesht një kujtesë për punonjësit që të përdorin diskrecionin e tyre”, deklaroi departamenti, duke iu referuar vendimit nëse aplikantëve do t’u kërkohet ose jo të largohen nga SHBA-ja për të dorëzuar dokumentacionin nga jashtë vendit.
Vetëm javën e kaluar, Shërbimet Amerikane të Shtetësisë dhe Imigracionit (USCIS) njoftuan se shtetasit e huaj që ndodhen përkohësisht në SHBA dhe dëshirojnë të marrin një kartë jeshile duhet, në parim, të kthehen në vendin e tyre për të aplikuar, përveç rasteve të jashtëzakonshme.
Zëdhënësi i USCIS, Zach Kaler, argumentoi se mbajtësit e vizave të përkohshme, si studentët, punëtorët sezonalë apo turistët, hyjnë në SHBA për një qëllim dhe periudhë të caktuar dhe se qëndrimi i tyre nuk duhet të konsiderohet automatikisht si hapi i parë drejt marrjes së rezidencës së përhershme.
Vendimi shkaktoi reagime të forta nga organizatat për të drejtat e emigrantëve dhe firmat ligjore, të cilat paralajmëruan se masa mund të krijonte pasiguri dhe vështirësi për mijëra aplikantë.
Ndër kritikët ishte edhe kongresmeni demokrat Chai Garcia, i cili e cilësoi politikën si “të paarsyeshme dhe mizore”, duke argumentuar se ajo mund të detyronte shumë emigrantë të ligjshëm të largoheshin përkohësisht nga familjet, vendet e punës dhe komunitetet e tyre.
Sipas raportimeve të The Washington Post, Shtetet e Bashkuara lëshojnë më shumë se një milion karta jeshile çdo vit, ndërsa mbi gjysma e aplikantëve ndodhen tashmë në territorin amerikan në momentin e aplikimit.
Top Channel