Kur mendojmë për topin e futbollit, na vjen ndërmend diçka e thjeshtë: lëkurë, ajër dhe qepje.

Por topi zyrtar i Kupës së Botës 2026, i pagëzuar me emrin Adidas Trionda, shënon ndryshimin më të madh teknologjik në historinë e futbollit: ai kërkon karikim elektrik përpara çdo takimi.

Një emër me histori simbolike

Emri “Trionda” është një ndërthurje mes parashtesës “tri-” (për tri vendet nikoqire) dhe fjalës spanjolle “onda”, që do të thotë valë ose ritëm. Çdo panel mban ngjyrat e vendeve organizuese – të kuqe, blu dhe jeshile – të cilat bashkohen në formë trekëndëshi në qendër, duke simbolizuar unitetin e tri kombeve për herë të parë në një organizim të tillë. Çdo vend përfaqësohet përmes simboleve të gdhendura si teksturë në sipërfaqen mat të topit: ylli për SHBA-në, gjethi i panjës për Kanadanë dhe shqiponja për Meksikën. Detajet e arta janë shtuar si një haraç ndaj trofeut të Kupës së Botës.

Sensori 500Hz: Saktësi që nuk ndihet

Brenda topit ndodhet një çip sensori lëvizjeje me frekuencë 500Hz, i montuar në pjesën anësore. Ky pajisje dërgon të dhëna tek arbitrat video (VAR) për të asistuar në vendime vendimtare, si pozicioni jashtë loje apo prekjet me dorë. Sensori transmeton informacion 500 herë në sekondë, një shpejtësi procesimi mahnitëse. “Ne mund të gjurmojmë çdo ndërveprim të lojtarit me topin. Çdo pozicion në çdo çast monitorohet nga një sistem lokal,” shpjegon Hannes Schaefke, Drejtues i Inovacionit të Futbollit tek Adidas.

Evolucioni inxhinierik: Nga teli te paneli

Në Kupën e Botës 2022 në Katar, sensori ishte i pezulluar në qendër të topit përmes një sistemi të brendshëm. Në edicionin e vitit 2026, ai është integruar drejtpërdrejt brenda njërit prej paneleve – një ndryshim gjeometrik që përmirëson ndjeshëm ekuilibrin dhe stabilitetin gjatë fluturimit. Për të ruajtur peshën, është përdorur një sistem kundërpeshe në panelet e tjera, duke e shndërruar topin në një “sistem të plotë të dhënash” në lëvizje.

Monitorim milimetrik në kohë reale

Të dhënat nga sensori kombinohen me inputin nga 12 kamera të instaluara në stadiume, të cilat gjurmojnë pozicionin e topit dhe të lojtarëve 50 herë në sekondë. Ky informacion sinkronizohet në kohë reale për teknologjinë e vijës së portës dhe vendimet taktike. Sensori peshon vetëm 14 gramë dhe bateria e tij ka një jetëgjatësi prej 6 orësh, çka lejon zhvillimin e dy ndeshjeve radhazi pa pasur nevojë për rimbushje.

Inovacioni vjen me një çmim

Trionda është topi më i shtrenjtë në histori, me një çmim tregu prej rreth 170 dollarësh. Pavarësisht kompleksitetit teknologjik, ai është projektuar që të ketë sjelljen e një topi tradicional. Lojtarët nuk do të ndiejnë asnjë ndryshim në dinamikën e lojës; ajo që dikur ishte vetëm lëkurë dhe ajër, sot është një instrument që gjurmon realitetin e futbollit me saktësi milimetrike.

Top Channel