Sërish kontroll në qelitë e Fierit, gjenden 10 telefona, shishe uji të mbushura me alkool dhe lëndë narkotike

24/05/2026 11:50

Për policinë e burgjeve nuk ka pushim, e me sa duket në qetësi nuk do jenë as të burgosurit, së paku ata që mbajnë sende të ndaluara.

Aksioni blic i radhës ishte në burgun e Fierit ku në ambientet e jashtme të sektorit A, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, janë konstatuar 10 telefonë, karikues  si edhe shishe të dyshuar se mbanin alkool.

Po ashtu forcat operacionale të burgjeve njoftojnë përmes zyrës së shtypit se kanë gjetur edhe doza droge. Për shkak të një urdhri të drejtorit të përgjithshëm të burgjeve që ka paralajmëruar se forcat e sigurisë në çdo burg do mbajnë përgjegjësi për rastet e zbulimit të sendeve të ndaluara, mbas këqyrjeve në vendngjarje të dhënat i janë referuar Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Drejtësisë.

Kjo agjenci tha një burim po heton të gjitha rastet siç edhe një ditë më parë ku gjashtë efektivë me detyrë kontrollues në burgun e sigurisë së lartë janë marrë nën hetim, pasi u gjetën telefona dhe alkool në burg.

Kontrollet e kryera javët e fundit edhe gjatë orëve të mbrëmjes po zbulojnë aparate telefonash në çdo burg, ndërsa duket se të burgosurit për t’i shpëtuar një hetimi të dytë, të gjendur para befasisë së operacionales, po i flakin sendet nga dritaret ç’ka bën të vështirë zbulimin se kujt i përkasin.

Policia e burgjeve ka sekuestruar 10 telefona celularë, 10 karikues telefonash, shishe të dyshuar me përmbajtje alkoolike, si dhe lëndë e dyshuar narkotike e gjetur në dy vende të ndryshme.

“Nga informacioni i marrë në mënyrë operative nga Drejtoria e Riskut në DPB, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, kontrollet për forcimin e masave të sigurisë dhe parandalimin e futjes apo mbajtjes së sendeve të ndaluara kanë vijuar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fier”.

Në kuadër të këtyre masave, Forcat Operacionale të DPB-së kanë ushtruar kontroll në ambientet e institucionit, ku në pjesën e jashtme pranë Godinës “A” janë konstatuar dhe sekuestruar: 10 telefona celularë, 10 karikues telefonash, bidona të dyshuar me përmbajtje alkoolike, si dhe lëndë e dyshuar narkotike e gjetur në dy vende të ndryshme.

Mund të jetë një imazh i çaj

“Për rastin janë hartuar raportet përkatëse të incidentit dhe procesverbalet e bllokimit, ndërsa është njoftuar Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për ndjekjen e procedurave të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë një kontrolli të kryer nga strukturat e vetë IEVP Fier, të dënuarit A.M., gjatë verifikimit në skaner, iu konstatuan pesë qese të vogla të dyshuara me lëndë narkotike, të fshehura në pjesën e poshtme të një bluzeje. Pas konstatimit, janë njoftuar drejtuesit e institucionit dhe specialistët e Agjencisë, ndërsa i dënuari është shoqëruar në veçim”, thuhet në njoftim.

Top Channel