Trump i premton Zelenskyt licencën për prodhimin e raketave Patriot: Do t’i prodhoni vetë

08/07/2026 22:28

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se është i gatshëm t’i japë Ukrainës licencën për të prodhuar raketat interceptuese Patriot, një lëvizje që mund të forcojë ndjeshëm mbrojtjen ajrore të Kievit përballë sulmeve balistike ruse.

Gjatë samitit të NATO-s në Ankara, Trump iu drejtua presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me fjalët: “Do t’ju japim një licencë për të prodhuar Patriot. Besoj se mund t’i prodhoni shumë shpejt, sapo t’ju shpjegojmë procesin.”

Megjithatë, presidenti amerikan pranoi se ende nuk i kishte njoftuar kompanitë e mbrojtjes Lockheed Martin dhe Raytheon për këtë vendim, duke shtuar se “gjithçka do të rregullohet”.

Sistemet Patriot konsiderohen ndër mbrojtjet ajrore më të avancuara në botë, të afta për të zbuluar dhe shkatërruar raketa balistike. Një bateri e plotë Patriot, së bashku me raketat, kushton rreth 1 miliard dollarë.

Prodhimi i tyre është gjithashtu i kufizuar. Sipas Departamentit amerikan të Mbrojtjes, prodhohen vetëm rreth 600 raketa Patriot në vit. SHBA-ja është treguar e kujdesshme në furnizimin e aleatëve, pasi përdori më shumë se gjysmën e rezervave të saj gjatë konfliktit me Iranin në fillim të këtij viti.

“Ne kemi Patriot, por jo aq sa duhet. Na duhen edhe për veten tonë”, deklaroi Trump. Në fund të muajit maj, Zelensky konfirmoi se Ukraina kishte kërkuar zyrtarisht autorizimin amerikan për prodhimin me licencë të raketave Patriot.

Nevoja është bërë edhe më urgjente pasi Rusia ka shtuar sulmet me raketa balistike ndaj qyteteve ukrainase. Vetëm gjatë javës së fundit, dhjetëra persona humbën jetën në Kiev.

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se për shkak të mungesës së raketave interceptuese, asnjë nga 23 raketat balistike të lëshuara nga Rusia gjatë një sulmi të fundit nuk u rrëzua.

Pavarësisht deklaratës së Trump, ekspertët ushtarakë shprehen skeptikë se raketat Patriot mund të prodhohen në territorin ukrainas në kushtet aktuale të luftës.

Ish-oficeri i shërbimeve sekrete ukrainase, Ivan Stupak, tha se teknologjia është tepër e avancuar dhe kërkon kushte të larta sigurie. Sipas tij, nëse projekti realizohet, prodhimi ka më shumë gjasa të zhvillohet në një vend europian nën mbikëqyrje amerikane, ndërsa procesi mund të zgjasë me muaj.

Gjatë konferencës për shtyp, Trump vlerësoi edhe sulmet me rreze të gjatë të Ukrainës ndaj objektivave në territorin rus. “Është një përshkallëzim, por edhe një përshkallëzim që mund të ndihmojë në përfundimin e luftës”, tha ai.

Nga ana e tij, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse synojnë t’i tregojnë Moskës se mbrojtja e hapësirës së saj ajrore nuk është e pakalueshme, duke ushtruar presion për t’i dhënë fund konfliktit.

Trump përsëriti gjithashtu se presidenti rus Vladimir Putin dëshiron të arrijë një marrëveshje për përfundimin e luftës dhe hodhi sërish idenë e një takimi mes Putinit dhe Zelenskyt.

Kur Trump e pyeti nëse do të ishte i gatshëm të udhëtonte në Moskë për një takim me liderin rus, Zelensky u përgjigj me humor: “Është e vështirë… ka shumë dronë ukrainas atje”, duke iu referuar sulmeve të fundit të Ukrainës në territorin rus.

Top Channel