Po sikur diplomacia të “dështojë”/ Opsionet e rrezikshme të Trump për të përkulur Iranin
Një person humbi jetën dhe 36 të tjerë mbetën të plagosur pas një zjarri të madh të shoqëruar me dy shpërthime në një kantier detar në New York City, thanë autoritetet lokale.
Sipas zyrtarëve, shumica e të plagosurve janë zjarrfikës dhe pjesëtarë të ekipeve të emergjencës që ndërhynë në vendngjarje. Një civil u shpall i vdekur në vend, ndërsa disa zjarrfikës pësuan lëndime të rënda nga vala goditëse e shpërthimeve.
Ngjarja ndodhi në një kantier detar në zonën e State Island, ku ekipet e emergjencës morën telefonata rreth orës 15:30 për tym dhe dy punëtorë të bllokuar në bodrumin e një strukture metalike.

Zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje brenda pak minutash, por menjëherë pas ndërhyrjes ndodhi shpërthimi i parë, duke plagosur rëndë disa anëtarë të departamentit të zjarrfikësve dhe civilë të pranishëm në zonë.
Pak më vonë ndodhi edhe shpërthimi i dytë, ndërsa pesë zjarrfikës dhe ndihmës të emergjencës po kërkonin punëtorët e bllokuar brenda strukturës. Dy prej tyre, një oficer zjarrfikës dhe një zjarrfikës tjetër, u goditën drejtpërdrejt nga vala e fuqishme e shpërthimit.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, e përshkroi situatën si “një emergjencë komplekse dhe me zhvillim të shpejtë”.
Sipas mjekëve, oficeri i zjarrfikësve ndodhet në gjendje kritike, por të qëndrueshme, me frakturë në kafkë dhe gjakderdhje të lehtë në tru. Ndërkohë, zjarrfikësi tjetër po mbahet nën vëzhgim në spital.
Autoritetet thanë se zjarri ishte ende aktiv të premten në mbrëmje, por nën kontroll, ndërsa mbi 200 zjarrfikës vazhdonin operacionin në vendngjarje.
Një hetim i plotë pritet të nisë për të zbuluar shkaqet e shpërthimeve dhe zjarrit në kantierin detar, i cili dikur ishte në pronësi të kompanisë së njohur të çelikut Bethlehem Steel, që ndërtonte anije për Marinën Amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Top Channel