Turqia është ngjyrosur kuqezi mbrëmjen e sotme, teksa Ernest Muçi ka ngritur lart trofeun e Kupës së Turqisë me fanellën e Trabzonsporit.

Një natë magjike për mesfushorin sulmues të Kombëtares Shqiptare, i cili pasi siguroi besimin e plotë të klubit me blerjen përfundimtare prej 8.5 milionë eurosh nga Beşiktaşi vetëm pak ditë më parë, e shpërbleu menjëherë investimin duke u kurorëzuar fitues.

Mes atmosferës së zjarrtë në fushën e blertë, teksa festonte me familjarët dhe shokët e skuadrës, ylli shqiptar ka dhënë një intervistë ekskluzive për emisionin “Procesi Sportiv” në Top Channel. Prezantuesi i njohur Eduard Manushi, së bashku me autorin e emisionit Glenti Nallbani, kanë arritur të shkëpusin emocionet e para dhe të nxehta të talentit kuqezi, drejtpërdrejt nga tapeti i gjelbër i finales.

Në mikrofonin e Top Channel, Muçi nuk i fshehu emocionet e një sezoni të gjatë e plot peripeci, por që u mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme. “Kam shumë emocione. Ka qenë një sezon shumë i gjatë, me ulje dhe ngritje. Më vjen mirë që e mbyllëm kështu me trofe sepse ka shumë rëndësi për të gjithë, për klubin, tifozët, dhe për ne lojtarët,” — u shpreh Muçi, duke dëshmuar pjekurinë e tij si lider.

Për yllin kuqezi, ky nuk është thjesht një trofe i radhës, por vazhdimësia e një mentaliteti fituesi që e ka ndjekur kudo ku ka shkelur. Nga Tirana, te Legia e Varshavës e tashmë në suksesin e tij më të ri në elitën e futbollit turk me Trabzonsporin. “Jam shumë krenar që kam qenë pjesë e sukseseve dhe titujve kampion tek Tirana, Legia e Varshavës por edhe këtu, shpresoj të kemi edhe tituj të tjerë,” — theksoi ai për Manushin, duke mos harruar pa përcjellë edhe një mesazh për tifozërinë e zjarrtë shqiptare: “Faleminderit shumë të gjithë shqiptarëve që vijnë dhe më mbështesin.”

Kjo kupë duket se është vetëm fillimi i një kapitulli të artë për Muçin te Trabzonspori. Me talentin dhe vendosmërinë e treguar në fushë, fantazisti shqiptar ka dëshmuar se është gati të marrë për dore skuadrën drejt sukseseve të reja.

Top Channel