U ndalua nga AMP për shpërdorim detyre, oficeri i policisë në Sarandë i kërkoi para dy të arrestuarve për trafikim droge

21/05/2026 10:29

Një oficer i policisë gjyqësore në Sarandë, identifikuar me inicialet Edmond Ruçi, është ndaluar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, i dyshuar për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.

Ndalimi i tij vjen si pjesë e hetimeve për rastin e regjistruar me procedimin penal për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në ngarkim të shtetasve Adriel Zanaj dhe Keivin Duro.

Gjatë kontrollit të automjetit të drejtuar nga Zanaj, u gjetën dhe sekuestruan 24 doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, ndërsa dy shtetasit u arrestuan në flagrancë. Hetimet për këtë rast po vijojnë.

Gjatë hetimeve për këtë çështje, Prokuroria ngriti dyshime për përfshirjen e oficerit Edmond Ruçi në veprimtari të kundraligjshme dhe të dyshuara korruptive, duke shfrytëzuar pozicionin e tij në hetimin e çështjes.

Si pasojë, janë kryer veprime të mëtejshme hetimore, nga ku u grumbulluan prova që implikojnë oficerin.

Burime për Top Channel thonë se oficeri i policisë i kishte kërkuar para në këmbim të mbylljes së çështjes nënës së njërit prej të ndaluarve. Të gjithë kërkesat dhe bisedat janë bërë në telefon, duke çuar në zbulimin e implikimit të oficerit Edmond Ruçi.

Top Channel