Botërori 2026, Teherani përshëndet kombëtaren iraniane: Në SHBA për gjakun e martirëve
Presidenti i Federatës së Futbollit të Iranit, Mehdi Taj, ka bërë të ditur se ende nuk është lëshuar asnjë vizë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për delegacionin iranian, ndërsa nisja e Kupa e Botës FIFA 2026 po afrohet gjithnjë e më shumë.
Sipas raportimeve të medieve iraniane dhe agjencisë ANSA, çështja e hyrjes së drejtuesve dhe anëtarëve të kombëtares iraniane në territorin amerikan mbetet ende e pazgjidhur. Vetë Taj pranoi se nuk ka asnjë komunikim zyrtar nga pala amerikane lidhur me personat që mund të pajisen me vizë.
“Nuk kemi marrë asnjë njoftim se kush ka përfituar vizë. Deri tani nuk është lëshuar asnjë vizë”, deklaroi ai për agjencinë iraniane IRNA. Presidenti i federatës iraniane konfirmoi gjithashtu se në ditët në vijim do të zhvillohet një takim shumë i rëndësishëm me FIFA, ku Irani do të kërkojë garanci konkrete për pjesëmarrjen normale në turne.
“Do të kemi një takim vendimtar me FIFA-n nesër ose pasnesër. Ata duhet të na japin garanci, sepse çështja e vizave ende nuk është zgjidhur”, theksoi Taj. Situata është bërë edhe më delikate pas incidentit të javëve të fundit, kur Mehdi Taj u ndalua në kufirin e Kanadasë për shkak të së kaluarës së tij të lidhur me Gardën Revolucionare Iraniane, të njohur si Pasdaranët.
Ndërkohë, sipas procedurave aktuale, futbollistët iranianë pritet të udhëtojnë drejt Ankarasë për të kryer marrjen e shenjave të gishtërinjve si pjesë e procesit të aplikimit për vizë. “Nuk kemi asnjë lidhje me Amerikën. Ne jemi kualifikuar për Kupën e Botës dhe është detyrë e FIFA-s ta zgjidhë”, përfundoi presidenti i federatës iraniane.
Top Channel