Nuk ka fund të lumtur për Luis Suarez, ish-sulmuesi i Barcelonës lihet jashtë listës së Uruguait për Botërorin 2026

13/05/2026 16:52

Luis Suarez nuk do të ketë një lamtumirë të fundit me kombëtaren e Uruguait në Kupën e Botës këtë verë, pasi sulmuesi veteran raportohet se është lënë jashtë listës paraprake me 55 lojtarë të trajnerit Marcelo Bielsa.

Sipas gazetarit Rodri Vazquez, 39-vjeçari nuk është përfshirë në planet e teknikut argjentinas, një vendim që ka shkaktuar habi të madhe në Uruguai.

Mungesa e Suarez bëhet edhe më surprizuese pas deklaratave të fundit të sulmuesit të Inter Miami, i cili kishte lënë të kuptohej se ishte i gatshëm të rikthehej nga pensionimi për të ndihmuar kombëtaren në Botëror.

Suarez u tërhoq nga përfaqësuesja në shtator të vitit 2024, por vetëm një muaj më vonë kritikoi ashpër trajnerin Bielsa, duke pretenduar se ai kishte “përçarë të gjithë grupin” dhe se disa lojtarë po mendonin të largoheshin nga kombëtarja.

Në një intervistë për “DSports”, golashënuesi më i mirë në historinë e Uruguait deklaroi se lojtarët kishin arritur në limit për shkak të metodave të trajnerit argjentinas.

Ai kritikoi gjithashtu trajtimin ndaj mesfushorit Agustin Canobbio gjatë Copa America 2024, duke thënë se lojtari ishte detyruar të stërvitej si mbledhës topash dhe si rezervë në stërvitje, ndërsa stafi nuk lejohej të përshëndeste apo të hante me ekipin.

Megjithatë, më 9 maj, Suarez ndryshoi qëndrim dhe deklaroi se “nuk do t’i thoshte kurrë jo” një rikthimi në kombëtare nëse Uruguai do të kishte nevojë për të.

“Në atë kohë u tërhoqa për t’i hapur rrugë brezit të ri. Thashë disa gjëra që nuk duhej t’i thosha dhe kam kërkuar falje ndaj personave që duhej”, u shpreh Suarez.

“E kupton që ende ke pak fuqi brenda vetes dhe dëshirë për të konkurruar. E sheh në fushë kur zemërohesh pas humbjeve apo pasimeve të gabuara dhe ende e shijon momentin kur shënon gola”, shtoi ai.

Sulmuesi i Inter Miami ka realizuar 69 gola në 143 ndeshje me fanellën e Uruguait dhe ka marrë pjesë në katër Kupa Bote që prej vitit 2010. Megjithatë, sipas raportimeve, ai nuk do të jetë pjesë e Botërorit të pestë në karrierë.

Uruguai do ta nisë aventurën në Kupën e Botës më 15 qershor ndaj Arabisë Saudite në Miami, ndërsa në Grupin H do të përballet edhe me Kepin e Gjelbër dhe Spanjën.

Top Channel