Kompozitori Andrew Lloyd Webber shet koleksionin e verërave për bamirësi, mblidhen mbi 500 mijë paund për fëmijët në nevojë

09/05/2026 16:50

Kompozitori legjendar Andrew Lloyd Webber ka njoftuar se ankandi i koleksionit të tij privat të verërave ka mbledhur mbi 500 mijë paund për bamirësi, në mbështetje të fëmijëve nga zonat e pafavorizuara të Mbretërisë së Bashkuar përmes muzikës.

Koleksioni i titulluar “Thesaret e Fundit nga Bodrumi i Verës i Andrew Lloyd Webber” arriti të sigurojë 517,910 paund për organizatën Music in Secondary Schools Trust gjatë ankandit të zhvilluar nga Christie’s.

Shtëpia e ankandeve bëri të ditur se koleksioni përfshinte verëra të rralla nga “vreshtat më të shquara dhe prodhimet më të mira të shekullit të kaluar”, të ruajtura në pronën rurale të kompozitorit në Hampshire.

Lord Lloyd-Webber, i cili së fundmi ka zbuluar se po trajtohet dhe po rikuperohet nga alkoolizmi, u shpreh i emocionuar për shumën e mbledhur.

“Jam absolutisht i kënaqur që shitja e verës sime që ka mbledhur mbi gjysmë milioni paund për skemën Muzika në Shkolla. Muzika i fuqizon të rinjtë,” tha ai.

Kompozitori theksoi se muzika ndikon pozitivisht jo vetëm në arritjet akademike, por edhe në zgjidhjen e problemeve sociale, të sjelljes dhe shëndetit mendor tek të rinjtë. Ai kritikoi gjithashtu mungesën e investimeve nga qeveritë britanike në programe të tilla arsimore dhe kulturore.

Nga ana tjetër, CEO e organizatës Misst, Rachel Landon, deklaroi se fondet e mbledhura do të ndihmojnë në zgjerimin e programeve muzikore për mijëra nxënës të tjerë. “Këto burime do të bëjnë një ndryshim për shumë fëmijë, duke na lejuar të zgjerojmë shtrirjen tonë dhe të mbështesim edhe më shumë të rinj,” u shpreh ajo.

Top Channel