Dita e Europës, Elisa Spiropali: Integrimi, nuk është një mal me letra, nuk është e rënë nga qielli, por… Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij për 9 Majin, Ditën e Europës.
Rama u shpreh se shqiptarët e ndjejnë vlerën që ka Europa dhe integrimi dhe janë besimplotë për ecurinë e këtij progresi.
“Ne e ndjejmë deri në palcë vlerën e paçmuar të Evropës, të të qenit evropian dhe nga ana tjetër të të pasurit mundësinë e të jetuarit në BE. Dje në patëm një ngjarje të shënuar, e cila do të ishte e paimagjinueshme deri pak vite më parë, preludin e Kongresit Botëror të Ligjit që do të mbahet vitin e ardhshëm në Shqipëri. E shkruar nga njerëzit e ligjit që janë bërë bashkë dhe i japin përmes kësaj platforme zë nevojës themelore për sundimin e ligjit.
Kongresi Botëror i Ligjit vjen në Shqipëri sepse jemi bërë një pikë referimi në bazë të shprehjes së një vullneti të hekurt për t’u vetëvendosur nën sundimin e ligjit, duke bërë një reformë në drejtësi e cila nuk ka të dytë në rajonin tonë dhe është shprehja më kuptimplotë e angazhimit për ta bërë Shqipërinë një vend ku BE-ja të bëhet pjesë e pandarë.
Dhe do të ishte absolutisht e pamundur që ne ta ndërmerrnim dhe jo më pastaj ta çonim para dhe ta zbatonim hap pas hapi me të gjitha vështirësitë një reformë të tillë nëse ne nuk do të kishim Evropën si ëndërr dhe tokë të premtuar, si amanet të patjetërsueshëm dhe mision të pakontestueshëm, dhe nga ana tjetër nëse nuk do të kishim BE si një partner të pandarë në këtë rrugë, ku dija e BE e transferuar drejt nesh për mënyrën se si një vend mund të kthehet në një arkitekturë institucionale është diçka që as nuk mund të blihet dhe as nuk mund të zëvendësohet dhe imagjinohet jashtë perimetrit të Evropës.
Nëse sot jemi besimplotë për ecurinë e këtij procesi, kjo lidhet me ecje dorë për dore me BE. Të qenit pjesë e tij është një garanci. Shumë e pikturojnë BE si një pengesë, si barrë, si një perimetër që nuk të lejon të marrësh frymë lirisht, por nuk ka gjë më larg të vërtetës dhe më të gabuar, sepse në fakt BE garanton perimetrin e shtetit të së drejtës dhe shteti i së drejtës nuk mund të negociohet.
Në këtë Ditë të Evropës, që kremton jo thjesht BE por Evropën si djep kulture, unë dua të nënvizoj me forcë që shqiptarët janë në ditën e tyre më të mirë, por edhe janë sot në një kohë kur bekimi i të qenit pranë Evropës së bashkuar është një garanci e të qenit në një rrugë pa kthim. Kjo është një rrugë pa kthim dhe për këtë dua të nderoj ata që imagjinuan dhe pastaj i dhanë jetë projektit të BE-së, dhe dua të nderoj ata që punojnë çdo ditë për të sjellë Shqipërinë më afër ëndrrës që nuk është më horizont i largët, por majë që shihet me sy; jemi në hapat e fundit të një historie që ka zgjatur prej shekujsh.
Nisëm sot Ditën e Evropës me një shfaqje kuptimplotë të një grupi fëmijësh dhe të rinjsh, dhe do ta mbyllim sonte me tingujt e një artisti të madh që do të vijë në sheshin “Nënë Tereza”. Jeni të ftuar të gjithë, pa frikë nga moti dhe me garancinë që do të jetë një natë e paharrueshme”, u shpreh Kryeministri Rama.
Top Channel