Ankand për 100-vjetorin e Marilyn Monroe, ekspozohen foto të rralla dhe objekte ikonike
Pentagoni ka publikuar ditën e sotme një seri dosjesh të deklasifikuara mbi fenomenet ajrore të paidentifikuara (UAP), të njohura më parë si UFO, pas një udhëzimi të dhënë nga Donald Trump në fillim të këtij viti.
Dokumentet përfshijnë hetime dhe raportime të ndryshme mbi fenomene të pazakonta ajrore, të mbledhura gjatë disa dekadave.
Në një postim në rrjetin social X, Pentagoni deklaroi se qytetarët amerikanë tashmë kanë akses të drejtpërdrejtë në dosjet e deklasifikuara të qeverisë federale mbi UAP-të.
Sipas Departamentit të Mbrojtjes, materialet përfshijnë video, fotografi dhe dokumente origjinale nga agjenci të ndryshme amerikane, ndërsa publikime të reja do të vijojnë çdo disa javë, sapo materialet të identifikohen dhe deklasifikohen.
Një pjesë e dokumenteve ishte publikuar më parë nga FBI, por versionet e reja kanë më pak redaktime. Mes tyre ndodhet një dosje voluminoze me qindra faqe që përmbledhin dëshmi dhe raportime publike mbi UFO-t nga vitet 1947 deri në 1968.
Dosje të tjera përmbajnë raporte më të fundit nga personeli ushtarak amerikan. Në dokumente përmendet një “UAP i vogël i mundshëm” i vërejtur në Irak në vitin 2022, si dhe “shkëndija të shumta drite me origjinë të panjohur” të raportuara në Siri gjatë vitit 2024. Raporte të ngjashme janë regjistruar edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Greqi.

Pentagoni theksoi se përshkrimet në memorandumet ushtarake pasqyrojnë interpretimin subjektiv të autorëve të raporteve dhe nuk përbëjnë prova përfundimtare mbi natyrën e fenomeneve të raportuara.
Dokumentet përfshijnë gjithashtu raportime historike nga astronautët e misioneve hënore Apollo. Gjatë misionit Apollo 12, astronauti Alan L. Bean raportoi se kishte parë “shkëndija drite” që lëviznin në hapësirë. Ndërsa në misionin Apollo 17, astronautët raportuan grimca drite “shumë të ndritshme”, të cilat më vonë u mendua se mund të ishin copa akulli.
Interesi për jetën jashtëtokësore u rikthye në qendër të debatit publik pas komenteve të bëra nga ish-presidenti Barack Obama në një podcast, ku ai deklaroi se alienët janë “të vërtetë”, por më vonë sqaroi se gjatë presidencës së tij nuk kishte parë prova për kontakte me jashtëtokësorë.
Pas kësaj, Trump urdhëroi Pentagonin dhe agjencitë e tjera federale që të nisnin procesin e identifikimit dhe publikimit të dosjeve që lidhen me jetën aliene, UAP-të dhe UFO-t.
Ndërkohë, administratori i NASA, Jared Isaacman, përshëndeti nismën për më shumë transparencë lidhur me fenomenet anomale të paidentifikuara.
“Do të vazhdojmë të jemi të sinqertë për atë që dimë, për atë që ende nuk kuptojmë dhe për gjithçka që mbetet për t’u zbuluar”, deklaroi Isaacman.
Top Channel