Dështon për herë të tretë mbledhja e Këshillit Bashkiak në Bulqizë, tensione dhe debate mes mazhorancës dhe opozitës Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim me rastin e Ditës Europiane, duke e cilësuar 9 Majin si “ditën që lindi nga hiri i një zjarri shkatërrimtar”, në referencë të historisë së pas Luftës së Dytë Botërore dhe idejes së një Europe të bashkuar.
Sipas tij, aktualisht Evropa dhe bota po përballen me një kohë të vështirë, të shoqëruar nga pasiguri dhe prirje për mbyllje brenda kufijve.
“9 Maji i Evropës është një prej atyre datave të rëndësishme. Një ditë që lindi nga hiri i një zjarri shkatërrimtar. Kjo që jetojmë sot nuk është kohë e mirë për Evropën dhe botën, është një kohë e vranët si dita sot, ku tundimi për t’u mbyllur brenda mureve është i fortë dhe kur dielli duket sikur s’ka ndërmend të rikthehet.
Kjo është koha kur, më shumë se kurrë, libri i historisë së Evropës është aty për t’i ardhur në ndihmë kujtdo që do të kujtojë se çfarë nuk duhet bërë: mbyllja brenda mureve, frika dhe pesimizmi, humbja e besimit tek projekti madhështor i Evropës së bashkuar dhe vlerat e saj ndjellin keq, jo thjesht për Evropën dhe BE-në, por për çdo popull dhe çdo shtet evropian.
Për ne Shqiptarët, Europa mbetet edhe në këtë kohë të vranët ajo që ka qenë kur nuk ishte dot e arritshme, përveç se mes atyre valëve të dobëta që ekranet ilegale sillnin nga jashtë Shqipërisë në ekranet e televizorëve. Europa për në mbetet një ëndërr dhe tokë e premtuar, amanet i pajetërsueshëm kombëtar dhe mision i pandryshueshëm politik. Jo se ne jemi naivë, as se ne kemi iluzione, por se ne e dimë fort mirë, më mirë se sa kush do tjetër në këtë kontinent se çfarë do të thotë të jetosh i izoluar dhe i rrethuar me mure për tu mbrojtur nga Europa”, tha Rama.
Top Channel