Greku Georgios Donis është emëruar trajner i kombëtares së Arabisë Saudite, duke zëvendësuar francezin Hervé Renard.

Ky i fundit u shkarkua më pak se dy muaj para fillimit të Kupës së Botës, siç njoftoi zyrtarisht Federata Saudite e Futbollit. 56-vjeçari, një njohës i mirë i futbollit vendas pasi ka drejtuar më parë skuadra si Al Khaleej dhe Al Hilal, ka nënshkruar një kontratë të vlefshme deri në korrik të vitit 2027. Lajmi u bë i ditur nga federata përmes një njoftimi në platformën sociale X.

Emri i Donis ishte përfolur shpesh si pasardhësi i mundshëm i Hervé Renard, i cili u shkarkua nga detyra më 17 prill. Ky vendim erdhi pavarësisht faktit se nën drejtimin e francezit, “Skifterat e Gjelbër” siguruan kualifikimin e shtatë në histori në një Kupë Bote (të tretën radhazi). Ky botëror do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, ku Arabia Saudite do të jetë pjesë e Grupit H, së bashku me Spanjën, Uruguain dhe Kepin e Gjelbër.

Top Channel