SHBA zgjat pezullimin e sanksioneve ndaj naftës ruse, sekretari i Thesarit: Më telefonuan dhjetëra vende të varfra dhe mora këtë vendim

23/04/2026 07:49

Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, mbrojti dje, para senatorëve, vendimin e administratës së Presidentit Donald Trump për të zgjatur pezullimin e përkohshëm të sanksioneve kundër naftës ruse, në fuqi që nga pushtimi ushtarak rus i Ukrainës në vitin 2022.

Pas pezullimit të tyre të parë, deri më 11 prill, sanksionet ndaj naftës ruse vazhdojnë të pezullohen pjesërisht për një muaj tjetër, deri më 16 maj, me qëllim balancimin e efekteve të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit në çmimet e naftës.

Vendimi erdhi vetëm dy ditë pasi Bessent kishte siguruar shtypin se pezullimi fillestar nuk do të zgjatej.

I pyetur për këtë gjatë një seance dëgjimore të komisionit të Senatit, sekretari shpjegoi se kishte ndryshuar mendje sepse ishte kontaktuar nga “më shumë se një duzinë vendesh më të varfra dhe më të prekshme nga energjia në botë”.

Kontaktet u zhvilluan në kuadër të takimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB) në Uashington.

“Ata na kërkuan të zgjasim pezullimin dhe janë vetëm 30 ditë të tjera”, u tha ai senatorëve.

Vendimi u dënua nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili foli për sigurimin e fondeve shtesë nga Moska për të vazhduar luftën.

Përveç naftës ruse, pezullimi i sanksioneve vlen edhe për naftën iraniane të ngarkuar në anije dhe në këtë rast, sipas Bessent, për të zvogëluar ndikimin në kostot e energjisë pasi çmimet e naftës dhe gazit janë rritur ndjeshëm që nga shpërthimi i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit më 28 shkurt.

Teherani reagoi duke synuar bazat amerikane, si dhe infrastrukturën energjetike, në monarkitë fqinje, veçanërisht Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe duke mbyllur de facto Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës normalisht kalojnë pothuajse 20% e hidrokarbureve të destinuara për tregjet ndërkombëtare.

Top Channel