Inside Story/ Fermerët dhe ekspertët: Skema Kombëtare nuk adreson problemet, bujqësia në rrudhje

22/04/2026 21:38

Paradoksi qëndron në faktin se, pavarësisht kësaj mbështetjeje minimale, Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm prodhues. Për shkak të klimës favorizuese, Shqipëria konsiderohet “mbretëresha e prodhimit të domates”, duke tejkaluar të gjitha vendet e rajonit së bashku.

Megjithatë, ky potencial nuk shfrytëzohet si duhet për shkak të mungesës së investimeve dhe mbështetjes strukturore.

“Po t’i bësh të gjitha vendet e Ballkanit bashkë, nuk e bëjnë prodhimin 308 mijë ton domate që prodhon Shqipëria, kemi potencial konkurrues, por nuk e mbështesim”, u shpreh Ilir Piliku, ekspert i politikave bujqësore.

Mungesa e financimit reflektohet drejtpërdrejt në prodhim. Fermerët përdorin disa herë më pak plehra dhe pesticide se mesatarja europiane. Jo për zgjedhje, por sepse nuk kanë mundësi ekonomike.

“Fermeri nuk ka fuqi ekonomike, të blejë inputet në mënyrë që t’i përdorë dhe të rrisë rendimentet. Financimi është gjithmonë një nga problemet, por është një nga problemet i cili asnjëherë nuk po gjen zgjidhje në Shqipëri”, u shpreh Piliku

Në fund të marsit qeveria miratoi skemën kombëtare të bujqësisë, me një fond prej 2.5 mld lekësh apo rreth 25 mln euro. Kjo skemë e re pësoi disa ndryshime rrënjësore, një pjesë e të cilave janë pritur me kritika. Skema aplikoi një rritje modeste në mbështetjen me subvencione direkte për fermerët që mbarështojnë lopë, bagëti të imëta, bletë, derra dhe produkte të tjera bujqësore. Po ashtu, për herë të parë ofrohet një mbështetje prej 7 mijë eurosh për ata që duan të merren për herë të parë me bujqësi dhe do të njohë 10% të TVSH-së për çdo produkt të shitur. Por, në kulmin e rritjes së çmimeve, u hoq skema e mbështetjes me naftë, të cilën fermerët e blejnë me çmim tregu.

“Skema kombëtare nuk rrit sigurinë ushqimore. Sot skema kombëtare nuk e bën blegtorin edhe bujkun shqiptar konkurrues minimalisht ndaj rajonit e më pas ndaj Europës. E thënë ndryshe kjo skemë nuk i adreson drejt problematikat apo arsyet në të cilat kjo është krijuar. Duhet të theksoj, skema kombëtare nuk janë disa para për disa blegtorë apo fermerë. Skema kombëtare është siguri ushqimore, është zhvillim, është teknologji, është rritje e konkurrueshmërisë së blegtorëve dhe fermerëve tanë. Së pari duke plotësuar nevojat kombëtare pasi janë një rezervë ushqimore për ekonominë tonë dhe së dyti pasi të mbiprodhohet edhe të eksportohet dhe të konkurrohet rajoni, pse jo edhe Europa”, u shpreh Ervin Resuli, president, Urdhri i Veterinerit.

“2240 lekë kam marrë pardje 200 litra naftë, me aq unë nuk i dal një punim dhe kjo po na bën që të heqim dorë sepse nuk kemi mundësi, jemi edhe nëpër banka, plus që nuk gjejmë dot punëtor”, u shpreh Spahi Jahaj, vreshtar.

Ekspertët e konsiderojnë arbitrare heqjen e skemës së naftës, pasi penalizon pjesën më të dobët të ekonomisë shqiptare. Sipas tyre, skema e naftës që implementohej prej disa vitesh u hoq pa asnjë analizë dhe në mes të një krize rritjeje çmimesh, pa marrë asnjë masë, ndërkohë që të gjitha vendet e rajonit kanë nisur shpërndarjen e subvencioneve.

“E keqja ishte që vendimi për heqjen e skemës së naftës u bë një javë mbasi kishin shpërthyer efektet e krizës. Dhe ta heqësh në këtë moment kur vendet e rajonit ndërmorën paketa të tjera. Qeveria greke kompensoi 15% të çmimeve të inputeve bujqësore. Qeveria italiane vendosi që fermerët të gjitha faturat e naftës që nga 1 marsi deri në 31 dhjetor 2026 do të marrin 20% kompensim. Dhe të dy vendet, edhe Greqia edhe Italia, kanë skemë nafte që fermeri merr naftë të ngjyrosur. Nuk e merr me çmimin që e marrin konsumatorët e tjerë”, u shpreh Eduart Sharka, ekspert i bujqësisë.

Duke iu referuar rritjes së çmimeve si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme, ekspertët thonë se ndryshe nga situata në Shqipëri, qeveritë e rajonit po përdorin tre instrumente financiarë për të zbutur krizën; po shpërndajnë paketa subvencionesh, po ulin barrën fiskale dhe po kompensojnë faturat.

“Unë besoja që skema e naftës të aplikohej siç ishte në 2025, të jepej, të merreshin dosjet e 2025-s, të gjithë fermerët që ishin shpallur fitues dhe t’u jepej nafta tani dhe ai kontrolli të bëhej në vazhdim sepse tani kishin nevojë, në mënyrë paradoksale e hoqi…”, u shpreh Eduart Sharka, ekspert i bujqësisë.

Top Channel